BE

BE

BE mirëpret ratifikimin e Marrëveshjes IPA në Kuvendin e Kosovës

Publikuar më 22 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Nëpërmes një deklarata për media Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës, për ratifikimin e Marrëveshjes IPA-2018, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ka raportuar kosovain.eu.

"Urime Kuvendit në largim të Kosovës për ratifikimin e IPA 2018, marrëveshja financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Vendimi juaj siguron vazhdimin e mbështetjes nga BE-ja në reformat për qeverisje të mirë, sundim të ligjit, ambient, energji, edukim, punësim", thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në shtator 2018, Kosova dhe BE-ja dakorduan Marrëveshjen Financiare për Instrumentin e Para-Anëtarësimit 2018. Marrëveshja u nënshkrua nga BE-ja në shkurt dhe Kosova në prill 2019.

Në një komunikatë për media të Institutit EPIK me seli në Prishtinë, thuhet se kostoja totale e vlerësuar e programit IPA 2018 është €94,8 milionë euro, ndërsa kontributi i BE-së është €90,5 milionë euro, ndërsa institucionet e Kosovës do të sigurojnë bashkëfinancim prej €4,9 milionë euro.

Marrëveshja ka paraparë financimin e reformave në avancimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, mjedisit, energjisë, arsimit, dhe punësimit.

Në fushën e demokracisë dhe qeverisjes së mirë do të financohet Young Cell Scheme (YCS). Do të financohet mbështetja për ngritje të kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës, si dhe do të sigurohet pagesa për pjesëmarrjen e Kosovës në katër (4) Programet e BE-së.

Në fushën e sundimit të ligjit do të mbështet përafrimi i kornizës ligjore dhe institucionale me standarde të BE-së, si dhe fuqizimi i pavarësisë, profesionalizmit, llogaridhënies dhe efiçiences së sistemit të drejtësisë. Po ashtu, do të përkrahet lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Në fushën e mjedisit dhe energjisë do të ofrohen 40 milion për adresimin e ndotjes së ajrit duke zëvendësuar elementet mjedisore të Kosovës B të cilat do të sigurojnë zvogëlimin e emetimeve të pluhurit dhe NOx-it.

Në fushën e arsimit, 13 milion euro do të ofrohen për përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë.