BE

BE

Solemnisht lansohet faza e re e Fushatës për Liberalizimin e vizave

Publikuar më 11 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Me përkrahjen e Zyrës së Komisionit Evropian dhe Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, të mërkurën në Prishtinë, Ministria e Integrimit Evropian ka lansuar Fushata për liberalizimin e vizave, e cila ka për qëllim informimin dhe sensibilimin e qytetarëve të Kosovës, për mundësitë dhe detyrimet që i kanë qytetarët pas futjes së Kosovës në Zonën e Bardhë Shengen, ka raportuar kosovarin.eu.

Në ceremoninë e fillimit të fushatës kanë qenë të pranishëm, kryeministrit Ramush Haradinaj, Shefes së Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, Ambasadori gjerman Christian Heldt dhe personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka falënderuar German Corporation for International Cooperation (GIZ), Ambasadën gjermane dhe Zyrën e BE-së, për përkrahjen nga viti 2012 kur filloi rrugëtimi i gjatë i plotësimit të 95 kritereve për liberalizimin e vizave, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat kanë pasur vetëm 41.

"Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv, me sukses kaloi votimi në komisionin LIBE dhe në Parlamentin Evropian, tani jemi një hap afër liberalizimit të vizave dhe sfida e fundit do të jetë votimi në Këshill", ka thënë Hoxha.

"Ne nuk do të ndalim punën me marrjen e rekomandimit pozitiv, reformat do të vazhdojnë me intensitet edhe më të shtuar. Sfida e radhës janë shtetet anëtare me të cilat jemi duke punuar shumë. Kemi ndërmarrë disa hapa në mënyrë që të adresojmë brengat eventuale të secilit shtet anëtar veç e veç", ka thënë Ministrja.

Ajo ka shtuar se janë marrë vendime të rëndësishme për fuqizimin e legjislacionit për të huajt, sigurinë e kufijve dhe migracionin, konform standardeve evropiane si dhe zbatimin e marrëveshjeve të riatdhesimit.

"Fushata ka për qëllim kryesor qasjen te qytetarët me informatat e duhura se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave. Ku dhe sa mund të qëndrohet dhe rregullat e tjera të zonës Schengen. Qeveria e Kosovës do të mbështes këtë fushatë me mjete shtesë krahas mbështetjes së GIZ-it", ka thënë ajo

Hoxha ka shtuar se do të sigurohemi të gjithë së bashku që mesazhet që do të përçohen të jenë të duhurat dhe mjaftueshëm informuese për qytetarin. "Do të shkojmë në çdo qytet, fshat e lagje në mënyrë që qytetarët tanë të jenë pjesë aktive e kësaj fushate", ka thënë Ministrja.

Ajo i ka ftuar të gjithë qytetarët, institucionet, shoqërinë civile, mediat dhe misionet e shteteve anëtare në Kosovë që të gjithë së bashku, të jemi pjesë aktive e kësaj fushate, sepse vetëm me këtë bashkëveprim mund të jemi të suksesshëm. (kosovain.eu)