Ekonomi

Ekonomi

Çmimet e konsumit shtrenjtohen 3%

Publikuar më 17 Shtator 2010

Artikuj të ngjashëm

Të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës (ESK) tregojnë për një ngritje të çmimeve të përgjithshme të konsumit prej 3 për qind në muajin gusht të vitit 2010, krahasuar me muajin korrik të vitit 2010.

Arsye për këtë ngritje të përgjithshme, është rritja e çmimit të bukës dhe miellit që ka shënuar një rritje prej 22.5 për qind.

Ibish Asllani shef i divizionit të statistikave të çmimeve në ESK, tha se këto të dhëna bazohen në mbledhjen e më shumë se 370 artikujve në të gjithë Kosovën. Ai tregoi se buka është shtrenjtuar nga 27 cent në 36 cent.

Ndërsa ngritjen dhe rënien e çmimeve dhe ndikimit të tyre në indeksin e tërësishëm të çmimeve të konsumit në Kosovë për muajin gusht ka pasur disa lëvizje sipas statistikave të ESK-së. Buka dhe drithërat kanë shënuar ngritje prej 22,5 për qind me një ndikim prej 2.3 për qind. Vajrat dhe yndyrat 12.1 për qind me një ndikim prej 0.3 për qind.

Qumështi, djathi dhe vezët kanë shënuar ngritje prej 1.9 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind. Sheqeri, reçeli, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsirat kanë shënuar ngritje prej 2.6 për qind me një ndikim prej 0.1 për qind. Edhe duhani ka shënuar ngritje të çmimit prej 1.8 për qind, drutë e zjarrit 4.0 për qind dhe disa grupe produktesh tjera kanë shënuar një rritje të përgjithshme prej 0.2 për qind.

Rënie të çmimeve pati te perimet me – 0.3 për qind dhe te veshmbathjet kishte një rënie prej 0.2 për qind.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin gusht 2010 me muajin gusht 2009 ishte 5.9 për qind.