Ekonomi

Ekonomi

Gjilani dhe USAID, memorandum mirëkuptimi për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në prokurim

Publikuar më 16 Maj 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe drejtori i misionit të USAID-it, James Hope, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim të ngritë shkallën e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik në Kosovë.

Në fjalën e tij, Haziri ka falënderuar USAID-in për bashkëpunimin e treguar deri më tani përmes investimeve të shumta në Gjilan, duke treguar gatishmërinë e Gjilanit për vazhdim të proceseve edhe në të ardhmen me programe dhe projekte të tjera të përbashkëta në shërbim të qytetarëve.

"Falënderoj drejtorin e USAID-it në Kosovë z.Hope për mbështetjen e dhënë për Komunën e Gjilanit, në kuadër të programit për transparencë dhe mbështetje për Kuvendin e Komunës që u nënshkrua tashmë. Është marrëveshje për periudhën e ardhshme pesë vjeçare, marrëveshje që determinon përkushtimin e madh të qeverisë amerikane dhe taksapaguesve amerikan, për të ndihmuar qëndrueshmërinë dhe ndërtimin e kulturës së transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Komunës së Gjilanit, pavarësisht etnisë, besimin dhe përfaqësimin e tyre politik që e kanë në Kuvendin Komunal", tha Haziri.

Ai ka shtuar se qëllimi i këtij program është ndërtimi i kulturës institucionale të transparencës dhe angazhim për të drejtën që qytetari të jetë i informuar, pjesëmarrës dhe i angazhuar në vendimmarrje.

"Më lejoni që përveç këtij programi, shumë të rëndësishëm për të gjithë ne, ta falënderoj drejtorin e USAID-it për mbështetje edhe në programe të tjera. Ne sot kemi vizituar çerdhen në lagjen 'Dardania' e ndërtuar përmes programit 'G to G', në lagjen 'Dardania', që mbulon nevojat e mbi 15 mijë qytetarëve të kësaj lagjeje. Pastaj investimi në programin e infrastrukturës në fshatin Livoç i Epërm, që kanë qëllim ndërtimin e rrugës dhe hapësirave të tjera të lira për qarkullim në këtë fshat, pastaj ndërtimi shkollës në fshatin Ponesh dhe shumë programe të tjera që Gjilani është përfitues i drejtpërdrejtë", ka deklaruar kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit, po ashtu, ka përmendur edhe mbështetjen shumë të madhe të dhënë edhe në prokurimin elektronik, që siç tha, përveç ndërtimit të kapaciteteve dhe kulturës që ne e kemi ndërmarrë si Komunë do të punojmë që kjo zyre përmes programit elektronik besimi të rritet edhe më tutje dhe janë vetëm disa nga programet në të cilat kemi mbështetjen e fuqishme të USAID-it.

Ndërkohë, James Hope ka thënë se Komuna e Gjilanit tashmë është një partner strategjik i USAID-it, në adresimin e shumë çështjeve zhvillimore në Kosovë dhe projektet e financuara janë plotësisht në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit.

"Ne sot vizituam çerdhen e fëmijëve në lagjen 'Dardania', ku kemi parë nga afër shembullin shumë të mirë të partneritetit mes USAID-it dhe Komunës së Gjilanit. Marrëveshja e nënshkruar sot është kapitull i ri i partneritetit dhe në këtë periudhë ne do të punojmë që ta modernizojmë dhe përmirësojmë funksionimin e prokurimit publik në Gjilan. Qëllim kemi rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik dhe angazhimi ynë është që këto katër komuna, të jenë shembull për Komunat tjera në Kosovë", u shpreh ai.

Hope ka thënë se e gjitha kjo fillon me përkushtimin e kryetarit të Komunës, zyrtarit të prokurimit, auditimit dhe zyrtarëve të tjerë të prokurimit publik nëpër komuna.

Kurse, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka falënderuar drejtorin e USAID-it për mbështetjen e dhënë për Gjilanin në fusha të ndryshme, duke treguar gatishmërinë e madhe për punë të vazhdueshme.

"Ndjehem e privilegjuar që sot jam nënshkruese e kësaj marrëveshje e cila ka të bëjë me transparebncën. Falënderoj kryetarin Haziri që ka krijuar këtë rrjet kaq të madh të miqve të Gjilanit. Bashkëpunimi i legjislativit dhe ekzekutivit në Gjilan është jashtëzakonisht i mirë pa dallime pozitë-opozitë. E falënderoj Zyrën për Informim, pasi falë tyre, ne po arrijmë të jemi kampion për transparencë në Kosovë. Vendimet e Kuvendit Komunal merren me diskutim të hapur nga përfaqësuesit e qytetarëve dhe me mbështetje të plotë edhe të nivelit ekzekutiv. Falë bashkëpunimit të krijuar mes Kuvendit dhe ekzekutivit, është arritur një performancë e shkëlqyeshme", ka thënë ajo.

Iniciativa e USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse është një aktivitet pesëvjeçar i cili do të përmirësojë transparencën e prokurimit komunal përmes një procesi të ri të e-prokurimit. Ky aktivitet do të sigurojë mentorim dhe trajnim në pesë komuna me qëllim të instituimit të sistemeve të cilat do të avancojnë mënyrën e llogaridhënies për fondet publike dhe shpenzimet.