Ekonomi

Ekonomi

Zyrtarët shtetërorë tejkalojnë pagën bazë me mëditje

Publikuar më 18 Qershor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Mëditjet po u sjellin të ardhura të majme zyrtarëve të lartë të shtetit. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë afërsisht 8,782 euro mëditje të deklaruara në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin e kaluar, përderisa kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka marrë 1400 euro më pak se kreu i shtetit.

E, një numër i madh i vartësve të Mustafës në ekzekutiv, nuk i kanë deklaruar të hyrat që kanë pasur nga mëditjet, raporton KTV.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka deklaruar vetëm pagën mujore prej 1,270 eurosh.

Ngjashëm kanë vepruar edhe ministrat Blerand Stavileci, Mimoza Ahmetaj, Skënder Hyseni, Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Arsim Bajrami, Haki Demolli, Lutfi Zharku, Haki Demolli.

Ndër ata që i kanë deklaruar, bie në sy ai i Ferat Shalës, që e ka deklaruar për pagë dhe mëditje shumën prej 11,583 eurosh, pavarësisht se paga bazë e një ministri sillet në rreth 1,250 euro.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka deklaruar mëditje në shumën prej 3,219 eurosh, e ministri i Diasporës, Valon Murati, dukshëm më pak, afër 1700 euro.

Hykmete Bajrami ka deklaruar 5,523 euro mëditje, afërsisht sa edhe Edita Tahiri, që ka deklaruar 5,394 euro, derisa ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i ka bërë bashkë, pagën e mëditjet, në shumën prej 17,692 eurosh.

Deputetë, pjesë të komisioneve të ndryshme, kanë marrë shuma të ndryshme, shembull Xhavit Haliti, ka deklaruar rreth 7mijë euro, e kryetarja e tij në komisionin për Integrime, Njomza Emini, nuk ka deklaruar pagën e as mëditjet.

Vitin e kaluar, ajo kishte deklaruar 22 mijë euro pagë vjetore dhe 1,203 euro mëditje.

Arton Demhasaj nga Lëvizja "Çohu" mendon se zyrtarët, qëllimisht i bëjnë bashkë pagat e mëditjet, pasi rikujton raste kur mëditjet kanë kaluar edhe pagat e zyrtarëve.

Në të kaluarën disa deputetë janë akuzuar nga Prokuroria për deklarim të rremë të pasurisë, pasi të dhënat e tyre të paraqitura në fushën e të hyrave, nuk përkonin me të hyrat reale që kishin pasur në vitin e raportimit.

Shumica janë liruar nga akuzat, por ka pasur edhe gjoba, e me të cilat, sipas Demhasajt, nuk është arritur efekti i dëshiruar kur deklarimi i rremë i pasurisë, ishte bërë vepër penale.

Përveç këtij fenomeni, ai shprehet se deklarimi i pasurisë po e humbet rëndësinë dhe nuk po merret seriozisht nga zyrtarët, që e deklarojnë vlerën e pasurive sipas qejfeve të tyre, e krejt kjo, në mungesë të mekanizmave për vlerësimin e verifikimin e pasurive të tyre.