Ekonomi

Ekonomi

Qeveria miratoi Pakon Fiskale 2.0 për të nxitur zhvillimin e sektorit privat

Publikuar më 17 Korrik 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Qeveria në detyrë e ka miratuar të hënën Pakon Fiskale 2.0, me masa të reja të politikave fiskale, të cilat lehtësojnë ndjeshëm të bërit biznes dhe fuqizojnë sektorin privat në Kosovë, si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik në vend.

Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti tha se është punuar vazhdimisht në identifikimin e masave të reja për të lehtësuar të bërit biznes dhe për të fuqizuar sektorin privat në Kosovë.

"Siç jeni në dijeni në shtator të vitit 2015 kemi implementuar Pakon e parë fiskale, që ka ndikuar shumë në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes dhe si rezultat i kësaj, Kosova sot rangohet shumë mirë në këtë drejtim. Ajo pako ka ndihmuar shumë në rritjen e formalizimit të bizneseve duke ndryshuar ligjin e TVSH-së, pragun e TVSH-së dhe duke ndërmarrë një varg tjetër të reformave, që kanë mundësuar rritjen e qarkullimit në ekonominë e Kosovës për rreth 2 miliardë euro në dy vitet e fundit", ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se kjo është bërë e mundur për shkak të lirimeve të shumta të lëndëve të para dhe të makinerisë prodhuese.

"Statistikat nga Banka Qendrore, nga Agjencia e Statistikave dhe nga Ministria e Financave tregojnë që bizneset kanë përfituar rreth 47 milionë euro lirime të ndryshme për lëndë të para dhe makineri prodhuese. Vetëm tek ndërmarrjet e mëdha që obligohen të raportojnë në Këshillin për Raportim Financiar të Kosovës, ka pasur rritje të ndërmarrjeve për 12 për qind dhe rritje të punësimit për 11 për qind te këto ndërmarrje. Qytetarët kanë përfituar rreth 21 milionë euro si rezultat i lirimit të TVSH-së, uljes së normës së TVSH-së nga 16 në 8 për qind për të gjitha shërbimet publike dhe për një numër të mallrave dhe shërbimeve", tha ministri. (kosovain.eu)