Ekonomi

Ekonomi

FMN: Rritja ekonomike në Kosovë ka qenë shumë e mirë për tre muajt e fundit

Publikuar më 07 Tetor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jacques Miniane, gjatë pjesëmarrjes në konferencën për media në Ministrinë e financave, ka thënë se Kosova ka pasur rritje të mirë ekonomike gjatë tre muajve të fundit.

Në konferencën në të cilën foli edhe ministri Bedri Hamza, Miniane ka thënë se te buxheti i vitit 2018 pret një deficit prej 1.5 për qind, sipas rregullës fiskale.

"Së pari më lejoni të filloj me një lajm të mirë, rritja ekonomike ka qenë shumë e mirë për tre muajt e fundit kështu që ne si FMN i kemi rritur parashikimet tona për rritjen ekonomike edhe për këtë vit por edhe për vitin e ardhshëm. Ky është lajm i mirë edhe për të hyrat edhe për qytetarët por edhe për vet buxhetin i cili do të mbështes këto të hyra tatimore", ka thënë Miniane.

"Para se të shkojmë te buxheti i 2018-ës se presim një deficit prej 1.5% për këtë vit sipas rregullës fiskale. Siç e dini buxheti i 2017 kishte cekur një deficit për 1.5 për qind pastaj sipas mendimit tonë ky deficit i paraparë është i besueshëm kështu që ne presim që edhe kjo të realizohet dhe ky është një rezultat i jashtëzakonshëm për çdo shtet që është në vit zgjedhor", ka shtuar ai.

Ai bëri të ditur se janë përqendruar në buxhetin e 2018 dhe të dyja palët janë pajtuar në disa parime të rëndësishme dhe kjo është shumë me rëndësi.

"Pikë së pari jemi pajtuar për rëndësinë e respektimit të rregullës fiskale dhe limitit të deficitit, pra Kosova është një vend i vogël me një ekonomi të vogël dhe nuk ka valutën e saj dhe është një ekonomi me kapacitet të kufizuar sepse nuk ka qasje në tregjet ndërkombëtare financiare dhe siç tha Ministri stabiliteti makrofiskal që është me rëndësi për çdo shtet është posaçërisht i rëndësishëm për Kosovën", ka theksuar Miniane.

"Ne jemi poashtu të bindur se deficiti do të përmbahet brenda rregullit vitin e ardhshëm. Një parim kyç që jemi pajtuar është se buxheti duhet të vazhdoj të bazohet në të hyra të besueshme tatimore dhe jo tatimore. Ne kemi arritur dakord për parashikimet e të hyrave dhe ne nuk do të ishim pajtuar nëse do të besonim se nuk janë të besueshme kështu që ky është një indikacion që është një tregues që ne kemi një besim të plotë sepse ato do të realizohen".

Sipas udhëheqësit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Jacques Miniane një parim tjetër që janë dakorduar, ka të bëjë me frenimin e shpenzimeve dhe sipas tij "ky ishte element kyç në programin i cili përfundoi që kemi pasur ne si FMN me Kosovën, sepse ideja është që të ruajmë hapësira të mjaftueshme në Buxhetin e Kosovës për shpenzime prioritare për arsim, shëndetësi, në infrastrukturë" .

"Natyrisht Buxheti është ende në diskutim e sipër në kabinetin qeveritar, ende do të diskutohet në kuvend, por ne kemi besim të mirë që shpenzimet do të jenë në nivel të mirë dhe do të përmbahen. Ju e dini si ka qenë historia në Kosovë, me pagat publike deri më tani ka pasur rritje të jashtëzakonshme mbi rritjen e ekonomisë në shpërpushje me të gjitha parashikimet dhe kjo nuk ishte në rregull. Ideja është që pagat të rriten gradualisht, rregullisht në mënyrë të arsyeshme në përputhje me trendët ekonomike", ka thënë Miniane.

Ministri Hamza në konferencën për media pas përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë se Kosova është pajtuar me FMN-në për buxhetin e vitit 2018.

"Gjatë këtyre ditëve kemi pasur diskutime intensive, jo të lehta, produktive dhe të cilat kanë rezultuar me progres. Kam kënaqësinë që sot të deklaroj para juve që ne kemi pasur një progres jashtëzakonisht të madh në këtë fushë dhe disa çështje teknike e detale. Ne sigurisht do të vazhdojmë të diskutojmë gjatë qëndrimit tonë në Uashington por them se ne në vija të përgjithshme ne jemi dakorduar për buxhetin e vitit 2018 ", ka thënë ministri Hamza.

"Buxheti për vitin 2018 do të bazohet në të hyra të qëndrueshme që janë në përputhje me rritjen ekonomike dhe sigurisht si rezultat i masave të reja të ngritjes së performancës së Institucioneve që merren me administrimin e tatimeve doganore dhe tatimeve të tjera kemi parashikuar edhe një zvogëlim të arsyeshëm të hendekut tatimor. I kemi biseduar dhe i kemi dakorduar një për një të gjitha kategoritë e të hyrave", shtoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë dakorduar që ta respektojnë rregullën fiskale sa i përket deficitit primar gjatë vitit 2018, ku pritet të jetë 2 për qind.

"Sa i përket bilancit bankar me qëllim të ruajtjes së likuiditetit të vendit ne jemi dakorduar që ta mbajmë likuiditetin e bilancit bankar mbi 4.5 për qind të GDP-së. Te totali i shpenzimeve buxheti do të jetë mbi 2 miliardë ku vendin kryesor do ta nxënë shpenzimet kapitale, ku ne jemi të interesuar që taksat e taksapaguesve të Kosovës të kthehen atje ku prodhojnë efektin më të madh për qytetar, gjithsesi do ti reflektojmë edhe prioritetet e Qeverisë siç është sundimi i rendit dhe ligjit, dhe Organizatat Buxhetore që kanë pasur prioritet dhe do të kenë prioritet deri në procedimin final të buxhetit në kabinetin qeveritar, do të jenë institucionet që janë në zbatim të rendit dhe ligjit që janë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës dhe organet e tjera. Përveç kësaj ne i kemi trajtuar edhe çështjet sociale gjithmonë duke respektuar infrastrukturën legale në fuqi dhe gjithmonë duke i respektuar mundësitë tona reale buxhetore", shtoi Hamza.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, duke falënderuar FMN-në për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe në veçanti BQK-së, bëri të ditur se sektori sektor bankar është shumë stabil, ka rritje në pjesën e aseteve gjithashtu edhe depozitave, deri sa kreditimi ka një rritje dyshifrore që njëkohësisht tregon mbështetjen që është duke dhënë sektori bankar për zhvillimin ekonomik në Kosovë.

"Kreditë joperformuese kanë shënuar trend rënës, dhe sot norma e kredive joperformuese është 3.9 për qind, që nëse e krahasojmë këtë tregues me vendet e rajonit dhe me vendet më gjerë jemi shumë më mirë. Sektori financiar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar dhe në gjendje të mirë të likuiditetit. Norma e interesit ka vazhduar trendin rënës, dhe krahasuar me vitet e kaluara ku norma e interesit ka qenë dy shifrore sot ajo është shumë e ulët dhe presim që norma e interesit të ulet edhe më tutje më qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik", shtoi Mehmeti.