Ekonomi

Ekonomi

Çfarë po na ofron kjo fushatë?

Publikuar më 09 Tetor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Shkruan Bislim Bislimi - Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, tashmë po i afrohet fundit të pjesës së parë dhe kjo na jep mundësi të vlerësojmë disa elemente të rëndësishme të debatit dhe ofertës politike të palëve në këtë fushatë.

Duhet thënë se rezultati befasues, me përmbajtje të qartë të kërkesës për ndryshim, të cilën e kumtoi trupi elektoral në zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti, ka ushtruar një ndikim të rëndësishëm, në përcaktimin e strategjive elektorale, por edhe të profilit të kandidatëve nga partitë politike.

Veçanërisht, ky dimension i ndryshimit nën presionin e kërkesës së zgjedhësve, vërehet tek partitë që konsiderohen të ndëshkuara në zgjedhjet e qershorit. Ato morën masat për të ndikuar në ndryshimin e debatit dhe të mesazhit politik, nga gjuha ad hominem në një teren shumë më lokal, teknokratik dhe administrativ si dhe ngritën për shumë shkallë më lartë, kriteret e kandidaturave të tyre për drejtues të komunave.

Debati i rënduar politik, i periudhës së para fillimit të fushatës, i ndërlidhur me krizën politike të numrave për krijimin e institucioneve, i nxitur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentët e saj mediatik dhe individëve të veshur me petkun e analistëve dhe shoqërisë civile, humbi teren me krijimin e qeverisë Haradinaj.

Fushata zgjedhore filloi duke prodhuar befasi, fillimisht sa i përket kualitetit të kandidatëve, në mënyrë të veçantë nga partitë kryesore politike në vend. Padyshim, kjo garë zgjedhore ka kandidatët më të mirë deri më tani, në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale. Kjo përgatitje më në nivel e kandidatëve, reflektimi programor i kërkesave të elektoratit, aplikimi më i mirë i sondazheve, rrjeteve sociale, strategjive të komunikimit modern me publikun shpërfaqë disa gjëra: nisjen e reformimit të partive nën presionin e votës ndëshkuese të qytetarëve, artikulimin në mënyrë gjithnjë e më konkrete të kërkesave të qytetarëve, profilin tipik që qytetarët e vlerësojnë, gjegjësisht, profilet e kundërta, që ata i refuzojnë për kandidatët që do t'u besohet përgjegjësia etj.

Duket qartë se debati i zhvendosur nga temat emotive, nacionaliste dhe patetike, siç është ta zëmë, demarkacioni, asociacioni, Lista Serbe, rasti Rikallo, tek temat lokale sektoriale si ujërat e zeza, ambienti, infrastruktura, zhvillimi ekonomik lokal, bizneset e reja, subvencionet në bujqësi, parqet e biznesit, shfaqja e temës së politizimit të arsimit në komuna (për befasi), i ka konvenuar shumë më tepër partive të vjetra se sa VV'së.

Ndoshta, pse strategjia e komunikimit dhe e rritjes së VV'së nuk është e mbështetur mbi kauza politike të qeverisjes së mirë, apo të ngritjes së temave që kanë të bëjnë me administrimin e përditshëm të pushtetit lokal apo qendror, nëpër sektorë të ndryshëm por është strategji e ndërtuar në gjuhë të rënduar me përmbajtje nacionaliste dhe emotive, ka bërë që në momentin e parë që temat kanë rënë në nivel lokal, fryma e kësaj partie të ngadalësohet ndjeshëm. Në pamundësi të përdorimit të kauzave me përmbajtje emotive, në masë të madhe kandidatët e VV'së nëpër komuna, po e përdorin qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë, si një model të ndryshimit dhe të mirëqeverisjes.

Duhet thënë se kjo strategji, vështirë mund të rezultojë me sukses kur dihet se pëlqyeshmëria e z. Ahmeti në Prishtinë, më shumë është individuale e tij, falë një operacioni propagandistik (PR të mirë) se sa e modelit qeverisës të tij. Sa i përket kësaj të fundit, përveç disa sukseseve në shërbime administrative dhe qendrat shëndetësorë, kënaqshmëria e qytetarëve në Prishtinë me qeverisjen, qartazi nuk impresionon. Projektet e mëdha të riorganizimit të zonave dhe lagjeve të Prishtinës, mungojnë. Sëmundja e ndërtimit pa kriter, duke ngulfatur hapësira publike, megjithatë ka vazhduar.

Në anën tjetër, tek të gjitha partitë, që po zhvillojnë fushatë pikat kryesore programore pothuajse janë të njëjta. Ato reflektojnë kërkesat e zgjedhësve të cilat janë nxjerrë nga sondazhet që kanë zhvilluar ato. Përgjithësisht, mund të përmblidhen në: Zhvillimin Ekonomik lokal dhe punësimin, bujqësia, infrastruktura e çerdheve, ujësjellësi, trajtimi i ujërave të zeza, shërbimet shëndetësore etj. Befasi e këtyre zgjedhjeve është tematizimi  i madh i (de)politizimi të arsimit.

Sado që shumë kryetarë aktual komunash, sidomos këta që kanë nga dy dhe tre mandate, mbrohen nga akuzat duke komentuar procedura të ligjeve dhe udhëzimeve administrative të MASHT'it, përsëri nuk mund të fshihet fakti se ata, me qëndrimin e gjatë të tyre në pushtet, përmes ushtrimit të ndikimit jo ligjor mbi konkurset, kanë arritur deri aty sa punësimet e drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, sekretarëve, pedagogëve, psikologëve, mësimdhënësve deri në punëtorët teknik të shkollave t'i kthejnë si favore apo kushtëzime për votat e tyre. Kjo do të thotë se ata nuk i fitojnë ato vota, por i blejnë me pushtet ato. Kjo është formë tipike e korrupsionit politik.

Duke u stërpërsëritur kjo praktikë, qytetarët natyrisht se e kanë identifikuar. Mbase këtu mund të konsiderohet motivimi i qytetarëve për trendin ndëshkues të udhëheqjeve komunale. Ndoshta, ky dimension i denoncimit politik në fushatë, të praktikave të kundërligjshme të keqpërdorimit të pushtetit, është kapërcimi më pozitiv i vlerave që janë prezantuar në këtë fushatë deri më tani.

Duhet thënë se pozitive është edhe fakti se paraqitjet e kandidatëve për kryetar të komunave, dëshmojnë një seriozitet shumë më të madh në njohjen e kompetencave, kuadrit ligjor, kapacitetit administrativ dhe financiar si dhe procedurave të punës së pushtetit lokal në Republikën e Kosovës. Në të kaluarën, ndodhte të mos kuptohej qartë, nëse kandidatë të caktuar, garonin për kryeministër apo për kryetarë komunash. Sigurisht, edhe kjo është shenjë e disiplinimit politik që zgjedhësit në Kosovë, kanë filluar ta ushtrojnë me votë. Kjo duhet të vazhdojë.

Autori është jurist.