Ekonomi

Ekonomi

FMN ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë

Publikuar më 11 Tetor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e sapobotuar "Panorama Ekonomike Globale-Tetor 2017" ka rishikuar në ulje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2018, në 3.7%, nga 4.1% që ishin pritshmëritë në raportin e marsit, duke e reduktuar me 0.4 pikë përqindjeje.

Për vitin 2017, FMN pret që ekonomia shqiptare të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.7 për qind dhe konfirmon të njëjtin qëndrim të marsit. Edhe viti 2022 është korrigjuar në vlerë modeste me 0.1% më pak, nga 4.1% në 4%. Ky parashikim për Shqipërinë vjen vetëm pak ditë pas mbylljes së vizitës së fundit të misionit të Fondit në Shqipëri, ku theksi u vu tek një seri pikash të rëndësishme por ngadalësimi i ekonomisë ishte një prej tyre.

FMN në njoftimin konkludues të Artikullit IV pak ditë më parë, nënvizoi se ngadalësimi i ekonomisë do të vijë si efekt i përfundimit të projekteve të mëdha të energjisë. Gjithsesi kjo pritet të balancohet me reformat drejt integrimit në BE dhe rimëkëmbjen e partnerëve tregtarë.

"Risqet për këtë parashikim janë të balancuara. Në aspektin pozitiv, rritja e besimit pas zgjidhjes së paqartësisë politike dhe efektet nga projektet e mëdha në energjetikë dhe infrastrukturë mund të çojnë në investime më të mëdha dhe në një rimëkëmbje më të fortë të kredisë. Në aspektin negativ, vijimi i kushteve të motit të thatë mund të ketë ndikim në prodhimin e energjisë elektrike dhe të paraqesë risqe pothuaj-fiskale. Një ngadalësim i ritmit të reformave dhe shkarjet fiskale mund ta ulnin besimin, të rrisnin primet e riskut dhe të rrisnin risqet e përhapjes së efekteve. Vështirësitë në sistemin bankar në Evropë ose ulja me shpejtësi e levës financiare nga bankat në BE mund të çonin në stres të sektorit financiar", thuhet në deklaratë.

Në këtë kuadër, prioritetet kryesore për politikat janë i) ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe ii) thellimi i reformave strukturore për ta përmirësuar klimën e investimeve dhe për të arritur nivelet e të ardhurave si në BE. Politikat të synojnë t'u japin zgjidhje vështirësive që lindin nga borxhi i lartë publik, niveli i ulët i kreditimit dhe institucionet e dobëta, që i frenojnë investimet.