Ekonomi

Ekonomi

Dështon reforma e pensioneve - Fshati braktis skemën

Publikuar më 08 Nëntor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në vitin 2016 ecuria në skemën e pensioneve u karakterizua nga një seri zhvillimesh të rëndësishme ku mes të tjerave një tkurrje me 40% e kontribuuesve të fshatit. Referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit faktik rezulton se kontribuues nga fshati vitin e kaluar ishin 53,168 duke shënuar rënie në raport me 2015.

"Rezultati financiar i degës së pensionit të fshatit, vazhdon të mbetet problematik për shkak të numrit të vogël të siguruarve në bujqësi dhe nivelit të ulët të pagës minimale. Kështu, deficiti i financiar i degës së pensioneve të fshatit ka rezultuar 11,593.2 milion lekë, nga 10,716.3 milion lekë që ishte një vit më parë, ose 8.2% më shumë se një vit të pare" thuhet në raportin e KLSH.

Kjo situatë ka përkeqësuar edhe raportin e mbulimit ku të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit mbulojnë vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë.

Situata paraqitet më mirë në qytet ku kemi një rritje të mbulimit. Në fund të vitit 2016 të ardhurat nga dega e pensionit të qytetit mbulojnë 80.7% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 77.7% një vit më parë.

Në total e gjithë skema duket se ka një ulje të deficitit i cili ka ardhur si efekt i rritjes së të ardhurave me 10.4 për qind dhe uljes së shpenzimeve me 6.3 për qind në raport me një vit më parë.

Efekt pozitiv duket se ka dhënë rritja gaduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj çdo vit. Në vitin 2016 efekti i kësaj mase llogaritet në 400 milionë lekë.

Stoku i borxhit në skemë
Bizneset private por edhe entet shtetërore duket se vijojnë të akumulojnë borxhe në skemën e pensioneve. Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se numri i bizneseve të mëdha debitorë u rrit me 11,634 subjekte në shumën 3,1 miliardë lekë kurse vlera totale e borxhit të këtyre subjekteve në fund të vitit 2016 është 9,4 miliardë lekë.

"Me rritje dhe në mënyrë shqetësuese mbetet trendi i subjekteve me borxh dhe në sektorin publik ku rritjen më të madhe e ka sektori buxhetor me 608 subjekte në shumën 406,522 mijë lekë. Vlera totale e borxhit të subjekteve publike në fund të vitit 2016 është 2,1 miliardë lekë" nënvizon KLSH.