Ekonomi

Ekonomi

Parashikimi për vitin 2018, për ekonominë më të fortë në botë

Publikuar më 01 Janar 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Pavarësisht shqetësimeve fillestare për një udhëheqës të ri të paprovuar, si Donald Trumpi, ekonomia amerikane, më e madhja në botë e mbyll këtë vit me një notë të lartë. Ekonomia amerikane po zgjerohet me ritmet më të shpejta në më shumë se dy vjet - e nxitur pjesërisht nga papunësia e ulët, rritja e çmimeve të aksioneve dhe një rimëkëmbje e gjerë ekonomike anembanë globit. Ky vrull pritet të vazhdojë në 2018-ën, por ekonomistët thonë se Viti i Ri ka gjasa të sjellë sfida të reja.

Dhjetë vjet që nga fillimi i krizës financiare, dhe me një president polemizues në krye, ekonomia amerikane po ecën më mirë nga sa mendonin shumë ekonomistë.

"Kjo ishte surprizë. Pamë se punësimet vazhduan. Fitimet e korporatave u rritën. Kjo solli rritjen e tregut të aksioneve dhe mendoj se surpriza tjetër e madhe ishte mungesa e plotë e paqëndrueshmërisë në tregun e aksioneve", thotë analisti Greg McBride.

Tani i kompletuar me fitoren e tij të parë madhore legjislative, shkurtimin e taksave, Trump thotë se e ardhmja nuk është dukur asnjëherë më e mirë:

"Amerikanët janë entuziastë rreth së ardhmes. Ka një ndjenjë optimizmi të paparë. I keni parë të dhënat dhe entuziazmin për mundësitë e jashtëzakonshme që ka përpara vendi ynë", tha presidenti.

Nga një sondazh i Shoqatës Kombëtare për Ekonomitë e Biznesit del se të njëjtin optimizëm të presidentit ndan edhe komuniteti i biznesit.

"Biznesi është më optimist. Në sondazhin e shtatorit, shumica e tyre thanë se rreziqet ishin të mëdha. Tani, më shumë se 60 për qind thonë se situata është pozitive", thotë Ken Simonson i Shoqatës Kombëtare për Ekonomitë e Biznesit.

Megjithatë, rreziku për të papritura nuk është asnjëherë larg.

"Shohim çfarë po ndodh për shembull me Korenë e Veriut - rrezikun gjeopolitik. Ka gjithmonë një farë rreziku për të tronditur tregjet financiare, që ka më shumë të ngjarë të fillojë jashtë vendit por që mund të fillojë edhe brenda vendit si episodi i viteve 2007-2008", thotë Ken Matheny, këshilltar në kompaninë IHS Markit.

Viti i ri sjell gjithashtu ndryshime në drejtimin e Bankës Qendrore amerikane në një kohë kur normat e interesit po rriten dhe inflacioni është mjaft i ulët.

Analistët theksojnë gjithashtu faktin se 2018 është vit zgjedhjesh.

"Sigurisht që politika këtu në Uashington DC është shumë e rëndësishme pasi kemi përpara ngjarje të rëndësishme jo vetëm për qeverinë amerikane, siç janë zgjedhjet e mesmandatit për në kongres. Nuk do të jetë vonë para se të mendojmë edhe për zgjedhjet presidenciale të 2020-ës", thotë analisti Mark Hamrick.

Ekonomia globale, e cila u rit me 4% në vitin 2017, pritet të jetë një forcë stabilizuaese në vitin e ri. Por ekonomistët thonë se po vëzhgojnë Evropën për ndonjë tronditje të mundshme ekonomike si dhe Lindjen e Mesme të pasur me naftë - ku politika amerikane mund të bëjë që tensionet të shtohen.