Ekonomi

Ekonomi

Ligji për efiçiencë të energjisë del në diskutim publik

Publikuar më 13 Shkurt 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ligji për Efiçiencë të Energjisë nga sot është i hapur për diskutim publik, ka njoftuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Lluka ka ftuar të gjithë të interesuarit që, nëse kanë propozime, të kontribuojnë që ky ligj të bëhet sa më të mirë, duke i shërbyer nevojave të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve.

"Të nderuar qytetarë, Një ndër prioritetet kryesore që i kam caktuar në ministrinë që drejtoj është eficienca e energjisë dhe energjia e ripërtrishme, duke e quajtur vitin 2018 edhe Viti i Gjelbërt!", ka shkruar Lluka.

"Duke e konsideruar ndikimin pozitiv që këto dy fusha kanë në jetën tonë të përditshme si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, kemi filluar menjëherë të mirremi me legjislacionin primar që duhet të jetë në fuqi për t'i vënë në jetë mekanizmat e caktuar që zhvillojnë këtë sektor", ka bërë të ditur ai.

"Ligji për Eficiencë të Energjisë nga sot është i hapur për diskutim publik, prandaj do të vlerësoja nëse keni mendime për të ndarë me ne që ta bëjmë këtë ligj sa më të mirë, duke i shërbyer nevojave të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve tona", ka shkruar ministri.

"Së shpejti do të organizojmë edhe një takim pune me odat ekonomike dhe shoqërinë civile që prekë këtë fushë në mënyrë që të sigurohemi që zëri i të gjithë akterëve është dëgjuar", ka treguar Lluka.

"Ky ligj parasheh edhe formimin e Fondit për Eficiencë të Energjisë, fond shtetëror që i ndihmon sektorit për t'u zhvilluar më shpejtë! Bashkimi Evropian ka ndarë 10 milionë EUR për këtë fond dhe, njëkohësisht, ka interesim jashtëzakonisht të madh nga donatorët tjerë për ta rritur atë edhe më shumë! Ju faleminderit paraprakisht për kontributin!", ka shkruar ai në rrjetin social.