Ekonomi

Ekonomi

Bizneset ankohen për mungesë të punëtorëve të profilizuar

Publikuar më 07 Maj 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në kohën kur mbi 30% e qytetarëve të Kosovës të aftë për punë nuk po arrijnë të sigurojnë një vend pune, ka biznese që për vite të tëra nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë të profileve të caktuara. Elbasan Musliu, nga Kompania EuroMetal, thotë se aktualisht kanë nevojë për saldatorë, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë interesim nga ana e vendorëve, kështu që po detyrohen të marrin punëtorë nga jashtë.

Nga 27.5 për qind, sa ishte në vitin 2016, shkalla e papunësisë në vend, sipas Agjencisë së Statistikave, vitin e kaluar arriti në  30.5 për qind. Por, në kohën kur papunësia rritet nga viti në vit, ka biznese të cilat nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë. E njëra nga to është edhe Kompania "EuroMetal", nga Ferizaj, e cila merret me përpunimin e metaleve. Elbasan Musliu nga kjo kompani, thotë se edhe pse kanë 10 pozita të lira për saldatorë, ata tash e dy vite nuk po gjejnë punëtorë.

"Prej kohësh kemi nevojë edhe për rreth 10 saldatorë. Kërkesa për punë është shumë e vogël. Ka shumë pa punëtorë, se nuk ka mungesë të punës. Ne kemi projekte edhe për eksport, por kemi frikë t'i marrim ata veç shkaku i mungesës së punëtorëve", tha Musliu.

Musliu tregon për Radio Kosovën se në mungesë të vendorëve, ata kanë marrë disa punëtorë nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës.

Për kushtet e punës në kompaninë që s'po arrin të gjejë punëtorë, flet ky punëtor që bën mbi 120 kilometra rrugë çdo ditë deri në vendin e tij të punës, me të cilin thotë se është i kënaqur.

"Unë jam Fitim Istogu, nga Polluzha e Drenasit. Punoj në Ferizaj, në "EuroMetal". Kushtet e punës janë të mira. Rrogat i marrim me rregull. Punoj si saldator. Gjithçka është në rregull dhe për këtë vij nga Drenasi në Ferizaj", tha Istogu.

Përveç Kompanisë ''EuroMetal'', edhe biznese të tjera ankohen për mungesë të punëtorëve, të profileve të caktuara.

Mungesa e profesionistëve, sipas ekspertit të arsimit, Dukagjin Pupovcit, ndërlidhet me sistemin shkollor, i cili duhet të reformohet.

"Më shumë nxënës duhet të shkojnë në ato programe që i kërkon më tepër tregu i punës, siç janë programet e makinerisë, përpunimit të metaleve, elektroteknikës e kështu me radhë, e më pak duhet të orientohen në programet që i përgatisin për vazhdimin  e studimeve, e jo për ushtrimin e profesioneve", tha Pupovci.

Profesori universitar, Dukagjin Pupovci, pohon se reformimi i sistemit arsimor është i domosdoshëm, përkatësisht rishikim i programeve, duke iu përshtatur kërkesave dhe nevojave të tregut të punës. Sipas tij, kjo do të ndikonte edhe në uljen e papunësisë dhe në rritjen e zhvillimit ekonomik.