Ekonomi

Ekonomi

BSPK-ja në pritje të kryeministrit për plotësimin e kërkesave

Publikuar më 08 Maj 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), është duke pritur kryeministrin Ramush Haradinaj për t'i plotësuar kërkesat e tyre.

E kërkesat e BSPK-së janë pranimi i koeficientit të përvojës së punës, paga minimale, siguria në punë dhe pranimi i përvojës së punës për vitet e '90-ta, që kanë qenë temë diskutimi ndërmjet BSPK-së dhe kryeministrit në Ditën Ndërkombëtare të Punës.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë për Telegrafin se kanë shkuar po me të njëjtat kërkesa të cilat i kanë pasur edhe më herët.

"Ne më 1 Maj, u takuam me Kryeministrin Haradinaj duke i kërkuar që të njihet koeficienti i përvojës së punës, paga minimale, siguria në punë dhe pranimi i përvojës së punës për vitet e '90-ta", tha Ajdini, për Telegrafin.

Ai tha se është kërkuar që t'i jepet prioritet skemës pensionale, që ajo të zbritet për dhjetë vite.

"Si prioritet kemi kërkuar që t'i jepet skemës pensionale që ajo të zbritet për dhjetë vite. Kjo duhet të ndodhë për arsye se në kohën e okupimit, ata që e kanë përqafuar sistemin kanë përfituar nga kjo skemë, ndërsa ata që nuk e kanë pranuar janë të dëmtuar si në pagë, në familje dhe tani nga vetë shteti", ka thënë kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini.

Kurse, Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, tha për Telegrafin se së pari duhet që të shikohen mundësitë, pastaj do të merren hapat për plotësimin e kërkesave të BSPK-së.

"Të gjitha ato kërkesa të arsyeshme do të plotësohen, por së pari duhet që të shikohen të gjitha mundësitë që duhet merren hapa konkretë", tha Matoshi.

Sipas tij, nuk ka ndonjë afat kohor për plotësimin e kërkesave të BSPK-së.

"Nuk ka ndonjë afat kohor lidhur me plotësimin e kërkesave të BSPK-së, por ne jemi në vazhdimësi që këto kërkesa të plotësohen sa më parë që mundet", tha Matoshi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, BSPK ka protestuar për të kërkuar nga institucionet e Kosovës një varg kërkesa që duhet t'i zbatojnë për punëtorët.

"Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës u bënë thirrje të gjithë atyre që përballen me mohim të së drejtës për punë, mohim për pagë të dinjitetshme, siguri dhe shëndet në punë - t'i bashkohen protestës gjatë Ditës Ndërkombëtare të Punës - 1 Maj", thuhej në apelin e BSPK-së lidhur me protestën.