Ekonomi

Ekonomi

Punëtorët e KEDS paralajmërojnë protesta

Publikuar më 09 Maj 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Punëtorët e KEDS-it sot do të protestojnë për shkak të kushteve shumë të vështira të punës dhe gjendjes së vështirë në të cilën ndodhen.

Kështu deklaruan zyrtarë të Federatës së Sindikatave të Pavarura "ELEKTROKOSOVA" në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku folën për veprimet e gabuara të menaxhmentit të KEDS.

Kryetari i FSPE-së, Hysni Gashi, tha se trajtimi i keq i punëtorëve në KEDS që ka filluar me privatizim ka kaluar çdo kufi.

"Cilësia e shërbimeve për konsumatorët nuk është rritur fare. Në vendimet që janë marrë për privatizim, e shihni si thotë se punëtorët do të trajtohen sikur në KEK e edhe më mirë. Në fillim ishte ashtu me kontrata 3 vjeçare. Por më pas ndryshuan gjërat dhe filloi keqtrajtimi i punëtorëve. Një numër i tyre shkuan e i morrën disa paga e shkuan nga puna. Pastaj u bë lista në pritje dhe u krijua një departament ku i kanë gjujtë njerëzit pa kurrfarë kriteri", tha ai.

Ai bëri të ditur se kohën e fundit KEDS po punëson njerëz pa kritere dhe në bazë të interesave politike, me ç'rast përmendi punësimin e vajzës së kryeprokurorit të Pejës, dhe raste të tjera të ngjashme.

Ndërsa nënkryetari i FSPE, Fehmi Pajaziti, tha se 2720 punëtorë kanë qenë në KEDS  para privatizimit, ndërsa tash janë 2200, derisa tha se janë punësuar edhe gjenerata të reja.

"Nuk jemi kundër punësimit , por të punosh me pagë minimale prej 170 euro, kjo nuk është aspak në rregull. Qeveria duhet të bëjë kujdes gjatë mbikëqyrjes së kësaj kompanie", theksoi ai.

Zyrtarë të FSPE-së bënë të ditur po ashtu se moszbatimi i kontratës kolektive nga KEDS-i, pati për pasojë largimin e 74 punëtorëve nga puna.