Ekonomi

Ekonomi

FMN kundër ligjit për mësuesit e viteve 90-ta

Publikuar më 06 Qershor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Fondi Monetar Ndërkombëtar, i ka bërë thirrje Kosovës të mos vazhdojë tutje me ligjin për punëtorët e arsimit gjatë viteve 1990, sepse do të ishte një kosto shumë e lartë për një vend të varfër siç është Kosova.

Qeveria e Kosovës e ka proceduar për në Kuvend, projektligjin për Statusin e Punëtorëve në Arsim të viteve të 90-ta, pas një presioni të madh nga sindikatat e arsimit pasi në të kundërtën të njëjtat kanë përmendur organizimin e grevave afatgjate.

Parlamenti e ka votuar këtë ligj në parim.

"Rreziqet fiskale janë rritur. Sa i përket kësaj, FMN këshillon që mos të procedohet tutje me ligjin aktual për kompensimin e mësuesve, duke marrë parasysh koston direkte dhe indirekte që pritet ta rëndojë buxhetin për shumë vjet", ka thënë Stephanie Eble nga FMN në një komunikatë për shtyp.

Një delegacion i FMN-së, i udhëhequr nga Eble ka vizituar Kosovën nga 30 maji deri me 5 qershor, për të diskutuar me zyrtarë vendorë për ekonominë e Kosovës.

Sipas Institutit për Studime të Avancuar [GAP] ky ligj përfshin të gjithë punëtorët e arsimit të viteve 90-ta, madje edhe ata që kanë kontribuar në sistemin arsimor vetëm një vit.

Nga ky ligj pritet të përfitojnë rreth 23 mijë persona dhe në rast të vdekjes së tyre ky pension bartet të bashkëshortët e tyre.

GAP thotë se kostoja e ligjit për 2019-20 pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro, apo për 16.1 milionë euro (114%) më e lartë se sa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave për të njëjtën periudhë.

Sipas FMN-së, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2018 pritet të jetë rreth 4 për qind.