Ekonomi

Ekonomi

Rritet numri i grave të regjistruara si pronare dhe trashëgimtare

Publikuar më 05 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në Kosovë po rritet gradualisht numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, çka ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të grave që janë bërë pronare apo trashëgimtare të pronës.

Kjo rritje, është evidente kohët e fundit dhe pason hyrjen në fuqi të një udhëzimi administrativ, i vitit 2016, i cili stimulon regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të të dy bashkëshortëve në regjistrat publikë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës së Kosovës dhe Agjencisë për Barazi Gjinore, para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi kanë qenë 104 prona të regjistruara në emër të bashkëshortëve. Kurse, pas vitit 2016 deri më tani, numri i pronave në emër të dy bashkëshortëve ka arritur në 2912 raste.

Sipas zyrtarëve të Agjencisë për Barazi Gjinore, kjo është masë e veçantë që ka për qëllim përmirësimin e pozitës së grave përmes rritjes së qasjes së tyre në pronë.

Bazuar në udhëzimi administrativ, pronë e përbashkët e bashkëshortëve nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

E drejta në pronë është e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta e Kosovës dhe ligjeve ekzistuese në fuqi. Por, në shumë raste, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, tradita sfidon ligjet. (REL)