Ekonomi

Ekonomi

Contour Global: "Kosova e Re" ndërtohet edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore

Publikuar më 12 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kompania fituese për ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re", "ContourGlobal", ka thënë të enjten  se nuk do të zmbrapsen nga realizimi i projektit, pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të Bankës Botërore se nuk do ta mbështesin ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.

Joseph Brandt, themelues dhe menaxher i kompanisë "Contour Global", ka thënë se "Banka Botërore është e parëndësishme për ta përmbyllur projektin 'Kosova e Re' në mënyrë të suksesshme, një projekt ky, që është kyç për të ardhmen e furnizimit me energji dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës".

"Roli i Bankës Botërore kurrë nuk ka qenë që të sigurojë financimin e projektit dhe deklaratat për këtë projekt nuk kanë asnjë ndikim në këtë projekt. Ne, së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi të vendosur për ta vazhduar me projektin", ka thënë Brandt.

Ai ka thënë se është i sigurt se do të sigurohen fondet e nevojshme në kohën e duhur, në mënyrë që ndërtimi të nisë në fillim të vitit 2019.

Të mërkurën, presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, ka thënë se ky institucion ka marrë një vendim të prerë, që të mos të vazhdohet më me qymyr.

"Ne jemi të detyruar nga aktet nënligjore të Bankës (Botërore)që të shkojmë me çmimet të ulëta dhe tashmë prodhimi i energjisë në burimet e ripërtërishme është më i lirë se sa qymyri. Pra, pa asnjë dilemë ne nuk do ta bëjmë një gjë të tillë", ka thënë Kim në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahen në Bali të Indonezisë. (REL)