Ekonomi

Ekonomi

Kosova pjesë e Samitit të Investimeve nga Azia

Publikuar më 28 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Një delegacion i nga Ministria e Punëve të Jashtme i udhëhequr nga Sami Kastrati, kanë përfaqësuar vendin për herë të parë në Samitin e Investimeve, i cili u mbajt në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Samiti një ditor, me pjesëmarrje të kompanive të shumta nga shtete të ndryshme të Azisë në përgjithësi dhe Azisë Jug-lindore në veçanti, duke përfshirë Korin Diplomatik të akredituar në shtetin e Malajzisë, prezantoi disa shtete të ndryshme të botës, të cilat vlerësohen me potenciale të mëdha zhvillimi, ndërsa nga kontinenti i Evropës, Kosova ishte vendi i vetëm pjesëmarrës.

Veç kësaj, Kosova u prezantua si vendi i parë në Samit nga shtetet tjera pjesëmarrëse. Me këtë rast, para të pranishmëve, Drejtori i Komunikimit dhe Diplomacisë Publike, z. Kastrati, fillimisht bëri një prezantim të zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë dhe rajon dhe më pas ofroi argumentet se pse shteti i ri duhet të jetë vend atraktiv për investime nga shtetet e Azisë Jug-Lindore.

"Fakti, që ne jemi këtu sot është dëshmia më e mirë se vendi ynë i kushton një rëndësi të veçantë Investimeve të Huaja Direkte - IHD-ve. Ne, jemi këtu për të prezantuar mundësitë e bizneseve, që ofron vendi ynë, t'ju asistojmë juve në këtë drejtim, t'i përcjellim ftesën e sinqertë për investime dhe të tregojmë përcaktimin dhe përkushtimin tonë të fuqishëm se Kosova është gati për Ju", ka thënë Kastrati.

"Kosova është vendi më i ri, me popullatën më të re në Evropë, i vendosur në një lokacion strategjik, me ekonomi liberale të tregut, ka Marrëveshje për Stabilizim Asociim me BE-në, atë të CEEFTA-s, Marrëveshje Preferciale të Tregtisë me ShBA-të, Japoninë dhe Norvegjinë, ka ambient miqësor dhe konkurues të biznesit, sistem të shëndoshë ekonomik, taksa të ulëta, fuqi punëtore të lirë dhe të kualifikuar", është shprehur ai, duke renditur më pas sektorët më atraktiv për investime në vend.

"Nga pikëpamja jonë, Kosova mbetet vendi më atraktiv për të bërë biznes dhe për të investuar në vendet e Ballkanit Perendimor dhe ekzistojnë sektorë të mjaftueshëm: Nga Bujqësia dhe paketimi i ushqimit tek Minierat e Energjia; nga Ndërtimet e Infrastruktura tek përpunimi i drurit; nga Teknologjia Informative, Telekomunikacioni dhe Tekstili deri tek përpunimi i lëkurës".

Në vazhdim janë prezantuar të arriturat e gjithmbarshme të vendit në aspektin politik dhe ekonomik, që nga shpallja e Pavarësisë si në nivelin kombëtarë ashtu edhe atë ndërkombëtarë.

Gjatë prezantimit janë paraqitur si argumente për investime stabiliteti finaciar i Kosovës, reformat e ndërmarra ekonomike, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Investime Strategjike, atij për Partneritetet Publiko Private, themelimi i Zonave të Lira të Ekonomike, infrastruktura moderne, që e lidh vendin me vendet fiqinje dhe qasja më e lehtë dhe më e shpejtë në tregun e Evropës, rritja e qëndrueshme ekonomike, e cila për këtë vit është paraparë të jetë më shumë se 4 për qind dhe e dyta në rajon; borxhi më i ulët publik në rajon; raporti i të bërit biznes i Bankës Botërore, e cili e rendit Kosovën në vendin e 40 dhe indikatorë të tjerë ekonomik.

"Duke vlerësuar faktet dhe statistikat e treguara më lartë, vlerësimet pozitive mbi performancën ekonomike të Kosovës nga organizata kredibile ndërkombëtare është pikëpamja jonë se ekzistojnë shumë arsye, që ta shihni dhe të keni besim në Kosovën, si një qendër të Azisë Jug-lindore në Ballkanin Perendimor dhe si një urë-lidhëse për të pasur qasje në tregun shumë-milionësh të Bashkimit Evropian", ka thënë Kastrati.

Pas prezantimit të Kosovës dhjetëra biznese dhe fondacione kanë takuar delegacionin e Republikës së Kosovës, duke shprehur interesimin për investime konkrete nga energjia e ripërtëritshme si ajo solare dhe me erë, në tekstil, telekomunikacion, atë bankar dhe sektorë të tjerë.

Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Investimeve në Malajzi u mundësua dhe organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Australi. (Kosovain.eu)