Ekonomi

Ekonomi

Ikja e të rinjve shqetëson Hamzën, kërkon të investohet në kapitalin njerëzor

Publikuar më 31 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Financave, Bedri Hamza gjendet për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku me ftesë të ministrit të Financave të Maqedonisë, Dragan Tevdovski dhe zëvendëspresidentit të Bankës Botërore, Cyril Muller, po merr pjesë në takimin rajonal të Ministrave të Financave, me temën "Nxitja e zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të kapitalit njerëzor në vendet e Ballkanit perëndimor" i cili po mbahet në Shkup, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Hapjen e këtij takimi e bëri kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili përshkroi gjendjen e përgjithshme të investimeve në Republikën e Maqedonisë në kapitalin njerëzor, duke theksuar se "është shumë e rëndësishme që të gjitha shtetet e Ballkanit pa dallim të investojnë në kapitalin njerëzor për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik në këtë rajon të Ballkanit".

Ndërsa, ministri i Financave të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza theksoi se në Kosovë në dy vitet e fundit rritja e buxhetit është koncentruar në investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe në çështjet sociale.

Hamza gjithashtu shtoi se në fazat e ardhshme të politikbërjes patjetër fokusi duhet të jetë tek investimi në dije, pra në kapitalin njerëzor, dhe te forcimi i institucioneve shoqërore. Sipas Hamzës, këtë më së miri mund ta bëjmë përmes politikbërjes të orientuar nga rezultatet, të cilat edhe pse do të jetë më vështirë të maten, mund të adresojnë më direkt sfidat tona zhvillimore.

"Rritja ekonomike e vendeve tona gjatë viteve të fundit ka qenë mjaft inkurajuese, por duke qenë se kemi dallim substancial me vendet e Bashkimit Evropian, aty ku të gjithë ne synojmë të jemi, ne duhet të ndryshojmë modelin tonë të rritjes ekonomike, për të mundësuar një zhvendosje, respektivisht 'kërcim' të konsiderueshëm në raport me rritjen e deritanishme", shtoi Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Kosova në dokumentin e saj më të lartë strategjik, e që është "Strategjia Kombëtare për Zhvillim", ka renditur zhvillimin e kapitalit njerëzor, si shtyllën kryesore të kësaj strategjie.

Në këtë takim, Hamza veçoi edhe një fenomen me të cilin po ballafaqohen të gjitha vendet e Rajonit, që sipas tij është ikja e të rinjve nga vendet tona.

"Ne duhet të investojmë që ta zhvillojmë sektorin privat në mënyrë që të jetë bartës i zhvillimit ekonomik dhe ky sektor të motivojë të rinjtë dhe të rejat për punësim, dhe mos të shikohet sektori publik si mundësi e vetme për punësim. Kemi bërë progres por që kemi ende punë përpara nesh për ta thelluar këtë zhvillim" ka shtuar Hamza.