Ekonomi

Ekonomi

Qeveria e Kosovës vendosi taksën 10% për importet nga Serbia dhe Bosnja

Publikuar më 06 Nëntor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Qeveria e Kosovës vendosi masë mbrojtëse, taksë 10%, për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës diplomatike të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, ka raportuar kosovain.eu.

"Qeveria ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej dhjetë për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende", ka thënë Zyra për Shtyp e Qeverisë, nëpërmes një komunikate për media.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se Serbia është duke shpërndarë shuma të mëdha parash për ta dëmtuar sovranitetin e shtetit. Ai ka thënë se këto masa janë kundërpërgjigje ndaj kësaj sjelljeje të Serbisë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, ka thënë se janë duke përdorur shumë instrumente diplomatike për të kundërshtar lobimin e Serbisë, qoftë kundër njohjeve apo kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.

Pas Bashkimit Evropian, importuesi më i madh në Kosovë, i gati të gjitha produkteve mbetet Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë rreth 400 milionë euro në vit që importohen produkte nga ky shtet. Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin e kaluar ka qenë 81.5 milionë euro. (Kosovain.eu)