Ekonomi

Ekonomi

Buxheti për ushtrinë dhe projektligji i pagave procese të ndara

Publikuar më 30 Dhjetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka propozuar që të tërhiqet projektligji i pagave dhe mjetet shtesë që janë planifikuar për zbatimin e këtij ligji t'i ndahen Ushtrisë së Kosovës.

Arsyeja e këtij propozimi nga ana e SBASHK-ut është se versioni aktual i këtij projektligji është diskriminues për të gjithë punëtorët e arsimit. Ndërsa, Zyra e kryeministrit të Kosovës, sa i përket këtij propozimi, deklaron se buxheti për ushtrinë nuk do të mungojë.

Propozimi i bërë nga Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për tërheqjen e projektligjit për paga, që ato mjete të planifikuara për zbatimin e këtij projektligji të shkojnë për Ushtrisë e Kosovës, është bërë për arsye se ky projektligj mësimdhënësit i rendit në një pozitë shumë të ulët. Kështu tha për Radio Kosovën kryetari i Sindikatës se Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

"Ndryshimet që janë bërë në projektligjin për pagat duke ua ngritur kategorive të tjera koeficientin vazhdimisht, ndërsa mësimdhënësit duke i lënë në koeficientin 2 dhe 2.30. Ne kemi dalë me idenë që ligji për paga të tërhiqet dhe mjetet shtesë që shteti i ka ndarë për pagat, rreth njëqind milion, t'i dedikohen Ushtrisë së Kosovës."

Punëtorët e arsimit në Kosovë nuk janë në pozitë të mirë, qoftë administrata, kopshtet, mësimdhënësit dhe administrata e universiteteve, prandaj nëse ky version aktual i projektligjit votohet, atëherë punëtorët e arsimit do të përfitojnë shumë pak, tha Jasharaj.

"Ketë veprim e kemi bërë për të mbrojtur sistemi arsimor, sepse kopshtet janë shumë keq, punëtorët e arsimit fillor, të arsimit të mesëm, administrata nëpër shkolla dhe universitet. Prandaj, një ligj i tillë po të votohej në kuvend, mësimdhënësit e Kosovës do të përfitonin shumë pak nga ky ligj."

Ndërsa, zëdhënësja e Qeverise se Kosovës, Donjeta Gashi, tha për Radio Kosovën se buxheti për ushtrinë nuk do të mungojë dhe se këto procese janë të ndara njëra me tjetrën.

"Sa i përket propozimit që ky projektligj të tërhiqet për t'i lenë rrugë pagesës apo financimit të Ushtrisë se Kosovës, këto janë dy procese të ndara. Kryeministri Ramush Haradinaj por edhe mekanizmat e tjerë në vend e kanë sqaruar disa herë që buxheti për ushtrinë nuk do të mungojë."

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës muaj me parë ka kundërshtuar Projektligjin për pagat, sipas të cilit, punëtorët e arsimit janë renditur shumë ulët në vlerën e koeficientit të pagave.

Kërkesat e punëtorëve të sektorit në arsim janë që të rritet koeficienti i pagave për sektorin e arsimit në kuadër të Ligjit për Pagat.