Ekonomi

Ekonomi

Qeveria ndan 100 mijë euro për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët "Bllaca 1999"

Publikuar më 05 Mars 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në përkujtim të "Epopesë së UÇK-së" dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka filluar mbledhjen e sotme me një minutë heshtje dhe nderim për sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë në luftën për liri.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar plotësim ndryshimin e vendimit për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët "Bllaca1999". "Me plotësim ndryshimin e sotëm të vendimit, ndahen 100 mijë euro për realizimin e këtij projekti", thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga të gjithë resorët qeveritarë dhe institucionalë në përmbushjen e obligimeve dhe angazhimeve në favor të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Qeveria e Kosovës, në këtë mbledhje, ka ndarë 40 mijë euro për të përmbushur kontributin vjetor të Qeverisë së Kosovës për vitin 2019 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë.

"Republika e Kosovës bën pjesë në grupin prej 4 për qind të shumës totale të vendeve të Evropës Juglindore që është përcaktuar formalisht në samitin e Bukureshtit, në nëntor të vitit 2006", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Me vendimin që ka miratuar sot Qeveria e Republikës së Kosovës, është autorizuar Ministri i Financave që të aprovojë transfere nga nën programi "Shpenzimet e paparashikuara" në shuma individuale deri në shumën prej 40 mijë eurove për vitin 2019 të ndarjeve buxhetore.

Nisma për lidhjen e "Marrëveshjes për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo konsullor" me Republikën e Francës, ka marrë miratimin në parim në mbledhjen e sotme. Gjithashtu edhe nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Mbretërisë së Tajlandës për mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve ka marrë mbështetjen në parim nga kabineti qeveritar.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka aprovuar në parim nismën për anëtarësim si "Anëtar i asociuar" në Zyrën Ndërkombëtare të Peshave dhe Matjeve.

Miratimin në parim gjithashtu e ka marrë edhe marrëveshja ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital, në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Portugalisë.

Kabineti qeveritar është informuar në mbledhjen e sotme me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së gjatë vitit 2018. "Programi është ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës në kuadër të kompetencave të tyre", thotë Qeveria në njoftim.

Ministria e Integrimeve Evropiane monitoron zbatimin e Programit dhe mbledh raporte të rregullta të cilat shërbejnë për vlerësimin dhe përmirësimin e zbatimit të programit. Sipas këtyre raporteve del se aktivitetet e Programit për vitin raportues janë zbatuar në nivelin prej 68,33 për qind, ndërsa 31,77 për qind e aktiviteteve nuk kanë arritur të zbatohen.

"Kryeministri ka prezantuar idenë për organizimin e një takimi të kryeministrave të vendeve të rajonit për të diskutuar procesin e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, dhe në të cilin do të ftoheshin edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian", theksohet në njoftimin e Qeverisë.

Kryeministri po ashtu ka kërkuar informata për zbatimin e Ligjit të Prokurimit nga Ministria e Financave, për përfshirjen e komuniteteve pakicë në Policinë e Kosovës si dhe kërkesat e Shoqatave të dala nga lufta.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka kërkuar angazhimin e ministrive të veçanta në procesin e realizimit të marrëveshjeve të arritura nga mbledhjet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.