Ekonomi

Ekonomi

Përfitimet dhe humbjet nga taksa

Publikuar më 18 Maj 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kanë kaluar rreth gjashtë muaj që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Për efektet e saj si në planin ekonomik ashtu edhe politik, ka mendime e vlerësime të ndryshme. Disa i shohin si pozitive, e të tjerë edhe negative.

Efektet më të mëdha të taksës 100 për qind, ndërlidhen me aspektin ekonomik.

Serbia, e cila para vendosjes së taksës ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, për këto gjashtë muajt e fundit ka rënë si eksportuese e mallrave në vetëm 4 milionë euro, derisa për periudhën e njëjtë kohore gjatë vitit 2017, ky shtet eksportonte në Kosovë mbi 200 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka ulje të eksporteve të produkteve nga Serbia në Kosovë prej 98.2 për qind.

"Në përgjithësi është vërejtur një rënie e theksuar e importeve me orgjinë serbe dhe atyre të Bosnjës. Nëse merret periudha janar - prill 2018 dhe krahasohet me periudhën e njëjtë të këtij viti vërehet se nga Serbia ka pasur rreth 134 milionë euro import, derisa në vitin 2019 kemi 2.4 milionë euro import që kemi një ulje prej 132 milionëve", thotë Stavileci.

Produktet që vinin nga Serbia, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, thekson Stavileci u zëvendësuan brenda një kohë të shkurtër nga vendet tjera.

"Në bazë të statistikave të doganave, Turqia ka një rritje të importeve në Kosovë prej 31 për qind krahasuar me vitin e kaluar po ashtu produktet nga Gjermania kanë rritje prej 24 për qind, pastaj janë produktet nga Maqedonia me 53 për qind, Shqipëria ka më së shumti përfitime nga kjo me rreth 60 për qind rritje, po ashtu rritje të importeve ka pasur edhe nga Sllovakia, Italia, Kroacia", thotë Stavileci.

Prodhimet vendore dhe prodhimet nga shtete tjera të cilat kanë zëvendësuar produktet e Serbisë, sipas përfaqësuesve të bizneseve janë më cilësorë, por në disa raste ato janë të më shtrenjta duke bërë që edhe çmimet e konsumit të shënojnë rritje.

Rritje të çmimeve të konsumit në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka pasur pothuajse çdo vit edhe para vendosjes së taksës.

Derisa në vitin 2016, çmimet e konsumit kishin shënuar ngritje për 0.3 për qind krahasuar me një vit më parë (2015), në vitin 2017 përqindja e ngritjes së çmimeve të konsumit ishte për 1.5 për qind. Ndërkohë në vitin 2018 mesatarja vjetore e ngritjes së çmimeve ishte në 1.1 për qind.

Ngritje të çmimeve thuhet të ketë pasur edhe në muajt e parë të këtij viti.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit sipas të dhënave të ASK-së është më i lartë për 3.4 për qind në muajin prill 2019, krahasuar me muajin prill 2018.

Prodhuesit vendor në Kosovë thuhet të jenë ata të cilat kanë përfituar më shumë nga taksa.

Hulumtimet e bëra gjatë kësaj kohe nga shoqatat ekonomike në vend kanë treguar se janë rritur kapacitetet prodhuese dhe është rritur numri i të punësuarve.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë kompani kanë filluar të punojnë me tri ndërrime dhe rrjedhimisht kanë rritur edhe numrin e të punësuarve.

"Efekti i parë është se shumë kompani vendore që nuk kanë arritur të depërtojnë për shkak të produkteve të Serbisë që kanë ardhur me çmim më të lirë se kostoja e prodhimit, tani e kanë gjetur veten në treg, efekti i dytë është se kur rritet kërkesa për produktet domosdo rritet edhe numri i punëtoreve. Po ashtu edhe importet e investimeve kapitale, makineri dhe pajisjeve tjera për prodhim janë rritur për 17 për qind në krahasim me vitin e kaluar", thotë Panxha.

Për efektet e taksës në prodhimin vendor, një raport i Institutit për Studime të Avancuara GAP i publikuar ditë më parë ka vë në pah se prodhuesit vendorë nuk kanë arritur t'i shfrytëzojnë mundësitë e taksës siç është menduar.

Megjithatë, sipas përfaqësuesve të biznesit, Kosova e cila ka trashëguar industri prodhuese të shkatërruar pas luftës dhe e cila në masë të madhe ka vazhduar të jetë e varur nga importet, në një periudhë të shkurtër nuk do të mund të arrinte që të zëvendësonte të gjitha ato produkte të cilat ishin importuar nga Serbia.