Ekonomi

Ekonomi

Panxha: Pas Serbisë - Shqipëria vendi i dytë që po i bllokon bizneset kosovare

Publikuar më 04 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

E ka thënë me keqardhje, se Shqipëria nuk është aq miqësore në raportin e të bërit biznes me Kosovën. Astrit Panxha nga Klubi Prodhuesve të Kosovës ka thënë se "për fat të keq Shqipëria është vendi i dytë pas Serbisë që i vë barriera Kosovës në shkëmbimet tregtare".

"Ata janë të ëmbël nga goja, por të hidhëta i kanë praktikat", ka thënë Panxha në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thëne se deri tani, Kosova sa ka qenë pjesë e CEFTA-s të gjitha raportet tregojnë se Kosova ka qenë më e hapura në tregti.

"E këtë e dëshmojnë edhe bilanci negativ i eksportit dhe importit të Kosovës. Vendet e Ballkanit aplikojnë barriera jotarifore ndaj Kosovës. Më lehtë e sheshim produktin në Gjermani e Suedi, sesa në Shqipëri e Maqedoni, ndërsa për Serbi e për Bosnjën mos të flasim se është tjetër problem", ka thënë ai, përcjell Koha.net. "Na dhemb më së shumti prej Shqipërisë", ka shtuar ai.

Panxha ka thënë se Kosova ka më së shumti marrëveshje me Shqipërinë, e ne mesin e tyre edhe ajo për shkëmbime tregtare.

"Po na del që këto takimet e dekoruara me stil po përfundojnë pa efekt në shkëmbimin tregtar", ka thënë Panxha.

Derisa ka folur me shifra, ai ka thënë se në periudhën Janar - Prill të vitit të kaluar, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kanë qenë 41 milionë euro, ndërsa ato të Kosovës drejt Shqipërisë, 17 milionë euro.

Në periudhën e njëjtë në këtë vit ato janë rrit në 66 milionë euro, ndërsa ato të Kosovës janë rritur vetëm në 18 milionë euro.

"Numrat nuk gënjejnë. Ata tregojnë se Shqipëria është duke përkrahur një monopol të një grupi atje", ka thënë ai.

Përveç barrierave kemi edhe pasiguri ligjore në Shqipëri, ka thënë Panxha. "Kemi një rast kur një sipërmarrësi i është marrë një tokë pa kurrfarë përgjigje", ka thënë Panxha.

Teksa ka folur për disa nga pengesat ai ka përmendur se skenerin, nëpër të cilin ka thënë se duhet të kalohet vetëm kur Dogana dhe autoritetet e sigurisë kanë dyshimet e veta.

"Ata si duket janë kanë dhënë në konsesion skenerin dikujt dhe maunet nga Kosova obligohen të paguajnë nga 23 euro kinse për të hyrë në të, e në fakt as që hyjnë", ka thënë Panxha.

Ai gjithashtu ka htënë se Shqipëria u kërkon bizneseve kosovare që për secilën maune të kenë certifikatë origjinale, për nxjerrjen e së cilës ka kosto dhe merr kohë. Derisa një gjë të tillë ka thënë se nuk e kërkon Suedia.

Megjithëkëtë, Panxha ka thënë se bizneset kosovare janë këmbëngulëse të depërtojnë në Shqipëri dhe s'do të lejojnë që për shkak të vullnetit politik atje të mos i sheshin produktet e tyre në Shqipëri.

Sipas tij, hapi i parë do të jetë bllokimi i kufirit Kosovë - Shqipëri për një ditë, me shpresën që Shqipëria të reflektojë.

"I kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë për reagimin tonë. Kemi thënë se do të jemi të detyruar si shenjë proteste sikur në gjithë botën me maune të bllokojmë kufirin me Shqipërinë për një ditë. Ky është hapi i parë. Besoj se Qeveria e Shqipërisë të ulet të reflektojë. Shqipërinë e konsiderojmë vazhdimësi të tregut të Kosovës. Bizneset janë këmbëngulës të depërtojnë. S'guxojmë të jemi të izoluar edhe nga Shqipëria. Nëse izolohemi edhe nga Shqipëria, sikur nga Serbia, do të jemi në një ishull ku do ta kemi të vështirë të jetojmë ekonomikisht", ka thënë ai.

Panxha më tej ka thënë se kanë marrë premtime nga ministrat e Shqipërisë që në qershor disa çështje do të zgjidhen, por ka shtuar se "koha po ecën shpejt dhe çdo humbje e kohës është humbje e mundësisë".