Ekonomi

Ekonomi

Beqaj: Digjitalizimi i Kosovës ndër pritoritetet kryesore të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Publikuar më 16 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Problemet në zhvillimin digjital, zgjidhja e problemeve të tyre dhe mundësitë e bashkëpunimit, ishin temë e diskutimit në takimin mes Ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë z. Besim Beqaj, si dhe përfaqësuesit e komunitetit të TIK-ut në Kosovë.

Takimi i cili u mbajt sot në Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), rezultoi me marrëveshje për zhvillim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) dhe sektorit privat, me theks të veçantë, fushës së digjitalizimit - si mundësi shumë e mirë e zhvillimit ekonomik  të Kosovës.

Ministri Beqaj tha se, si ministër është i gatshëm t'i dëgjojë kërkesat e sektorit privat në mënyrë që të bashkërendohen punët.

Beqaj shtoi se,  ministria që ai drejton është duke kryer punë të mëdha  në përkrahjen e digjitalizimit në vendin tonë. " Jemi në fazën e implementimit të buxhetit. Një pjesë shkon për zhvillim të Start-upeve dhe NVM-ve, Ligji është në proces e sipër", deklaroi Beqaj.

Tutje, Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e  STIKK, theksoi se problem kryesor aktualisht është edukimi i fuqisë punëtore.

"Duhet të kemi më shumë mundësi për eksport të shërbimeve të IT-së. Kemi shumë nevojë për edukim të fuqisë punëtore në mnëyrë që zhvillimi të jetë më I hovshëm. Ne si shoqatë jemi të gatshëm të kontribuojmë së bashku me MIN, në zgjidhjen e problemeve", shtoi ajo.

Kurse, nga pjesëmarrësit tjerë u identifikuan disa nga problemet kryesore që e përcjellin fushën e IT-së në Republikën e Kosovës.

"Edukimi digjitalizimi i Kosovës dhe brendimi i produkteve, pjesëmarrja më e madhe ne Konferenca ndërkombëtare, sponsorizonim në media të madh ndërkombëtare, njohja e Kosovës jo vetëm politike,  por edhe nga kompanitë e mëdha të biznesit, zhvillimi i  produkteve në fushën e TIK-ut", ishin vetëm disa nga problemet për  të cilat komuniteti i TIK-ut në Kosovë, kërkoi përkrahje në zgjidhjen e tyre nga Ministri Beqaj.

Duke premtuar përkrahjen e tij dhe Ministrisë për pjesëmarrje në Konferenca të rëndësishme ndërkombëtare, si mundësi e madhe për prezantim të Kosovës dhe sjelljen e  investimeve  të huaja, Beqaj kërkoi përkrahje më të madhe të komunitetit të TIK-ut në Kosovë, në mënyrë që institucionet ta kenë top agjendë digjitalizimin.