Ekonomi

Ekonomi

Haradinaj: Kemi rritje ekonomike, rritje të buxhetit dhe prodhimit

Publikuar më 30 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po mban Kuvendin e Punës, ku kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka numëruar sukseset që ka arritur qeveria e udhëhequr nga ai, duke thënë se AAK guxon dhe mund të ecë në krijimin e vlerës së re.

Haradinaj tha se Aleanca ka bërë ushtrinë e Kosovës, derisa ka përmendur disa nga të arriturat gjatë qeverisjes së tij me Kosovën.

"Ne e bëmë ushtrinë e Kosovës, ne arritëm ta delegjitimojmë korrigjimin e kufijve, me taksën 100 për qind. Arritëm kriteret për liberalizim të vizave, sot udhëtoj për Paris. Gjatë këtyre 20 muajve në udhëheqje rritëm numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të gjithë u bën në përkrahje të rendit dhe ligjit. Përmes taksës për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës, u rrit prodhimi i Kosovës. Kemi përmbyllur autostradën 'Arbën Xhaferi', kemi filluar të tjerat", ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se komunat janë partnere në zhvillim ekonomik. "Ka rritje ekonomike, kemi rritje të buxhetit. Jemi këtu për të kryer punët e këtij shteti dhe t'i tregojmë shteteve tjera se jemi këtu për të bashkëpunuar me ty. Në Bruksel po vazhdon dialogu, në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi rritje edhe të partisë", tha ai.

Haradinaj tha se vetëm aleanca mundet me ecë në krijimin e vlerës së re.