Ekonomi

Ekonomi

Serbët e veriut vazhdojnë të mos e paguajnë energjinë elektrike, KMDLNJ-ja bën thirrje për protesta

Publikuar më 11 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Mospagesa e energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe ka nxitur reagim të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili iu ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë për të kundërshtuar këtë diskriminim.

Sipas këtij këshilli, qytetarët e Kosovës në mënyrë të organizuar duhet të kundërshtojnë vendosjen e standardeve të dyfishta dhe të kërkojnë trajtim të barabartë, shkruan sot "Koha Ditore".

"Institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë shtet dhe se nuk pranojnë që serbët të sillen në këtë mënyrë. Ndryshe, përshkallëzimi i situatës në Kosovë, fillimisht i natyrës sociale duhet dhe do të jetë i pashmangshëm e që pastaj do të përcillet me destabilizim politik dhe të situatës së sigurisë", thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga KMDLNJ-ja të mërkurën.

Këshilli ka rikujtuar se si qytetarët kanë paguar për energjinë e shpenzuar nga serbët në veri, duke përmendur premtimin e Qeverisë së këta qytetarë do të kompensohen, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

"Serbët e veriut të Kosovës edhe më tutje refuzojnë të paguajnë faturat për rrymë dhe shërbime të tjera, ndonëse buxheti i Kosovës dëmtohet për më shumë se 12 milionë euro në vit. Shteti i Kosovës nuk vepron në veri, në ndërkohë që edhe për borxhin më të vogël të faturës për rrymë të shpenzuar KEDS-i, përmes përmbaruesve, ua bllokon llogaritë bankare edhe kategorive sociale", thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.