Ekonomi

Ekonomi

Fermerët të kënaqur me rritjen e çmimit të mjedrës

Publikuar më 04 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Herët në mëngjes, ditën e fillon me punë Trimor Hyseni nga Ferizaj, i cili ka disa vite që merret me kultivimin e mjedrës.

Ky fermer i tha Radio Kosovës se çmimi 2 euro për një kilogram mjedër, ishte ai që e shtyu të ngritë pemishten disa hektarësh. Ai thotë se ndryshe nga viti i kaluar kur rendimentet ishin të ulëta e çmimi vetëm 80 centë për kilogram, këtë vit, gjendja është më e mirë dhe çmimi është rritur.

"Sivjet i kam gjashtë hektarë me mjedër. Gjendja nuk është shumë e kënaqshme për shkak të kushteve atmosferike që ishin në pranverë. Tash sa kemi filluar me vjelje. Rendimenti nuk është i ulët ndërsa çmimi është 1 euro e 30 centë për kilogram. Është më i mirë se vitin e kaluar dhe normalisht jemi më të kënaqur ne si fermerë", tha Hyseni.

Visar Aliu, nga pika grumbulluese "Besiana G", që për një muaj ka grumbulluar rreth 200 tonë me mjedër, thotë se në fillim një kilogram mjedër e ka paguar 1 euro e 30 centë, ndërsa tash çmimi është rritur.

"Çmimi momental është 1.4 euro dhe e pritet të ngrihet. Vitin e kaluar ka qenë 80 centë për kilogram, ku edhe fermerët ishin të zhgënjyer, por çmimi në këtë vit shpresoj të jetë i mirë për fermerët", tha Aliu.

Këtë vit, kur çmimi është rritur, fermeri Trimor Hyseni thotë se rendimenti mesatar në hektarët që i ka të mbjella me mjedër do të tejkalojë 7 tonë, ndërsa shton se subvencionimi nga shteti me 8 centë për kilogram është ndihmesë për të.

Kjo formë e subvencionimit është më mirë, por bujqit kanë pritur që vlera e subvencionimit të jetë më e lartë, i tha Radio Kosovës Sami Uka, kryetar i Shoqatës së Kultivueseve të Mjedrës.

"Duke i pasur parasysh pasojat e dy viteve të fundit dhe krizën e madhe të sektorit, ne kemi konsideruar që qeveria është dashtë me qenë shumë më fleksibile, në kuptimin që t'i ndihmojë fermerët me një subvencion më të lartë, në mënyrë që të riparohen dëmet", tha Uka.

Sipas Ukës, mbjellja e mjedrës mori hov vite më parë, pasi që sillte mjaft përfitime, por ulja e çmimit ka bërë që rreth 30 për qind e sipërfaqeve të mbjella me mjedër, të shkatërrohen vetëm vitin e kaluar.