Ekonomi

Ekonomi

Mbahet e fshehtë marrëveshja që ndali grevën në Aeroport

Publikuar më 26 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Arritja e një marrëveshjeje mes Sindikatës së punëtorëve të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" dhe menaxhmentit të këtij aeroporti ka ndërprerë grevën e paralajmëruar për ditën e diel.

Por asnjëra palë nuk ka treguar për detajet e kësaj marrëveshjeje, duke thënë se janë subjekt i çështjeve të brendshme të kompanisë dhe nuk do të bëhen publike.

Megjithatë, kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi, ka thënë për Kohën Ditore se kanë arritur që 70 për qind të kërkesave t'i realizojnë. Sipas tij, një pikë nuk ka pasur pajtim, por që siç ka thënë ajo pritet të realizohet në një periudhë më afatgjate.

"Me marrëveshje parashihet që 70 për qind e kërkesave të realizohen deri në qershor të vitit të ardhshëm, dhe se nëse kjo nuk ndodh ata sërish do t'i hynë grevës", ka thënë Latifi.

Sipas tij, të gjithë punëtorët janë të kënaqur me marrëveshjen e arritur dhe se presin realizimin e pikave të kësaj marrëveshjeje ashtu siç edhe parashihen.

Kjo sindikatë kishte paralajmëruar që nga e diela grevë të përgjithshme dhe pa afat, nëse menaxhmenti i Aeroportit nuk iu përgjigjet në plotësimin e kërkesave të tyre. Por menaxhmenti kishte paralajmëruar masa për mbarëvajtje të operimeve pa vonesa.