Ekonomi

Ekonomi

KEK-u po eksporton energji elektrike

Publikuar më 31 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur performancë të jashtëzakonshme në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Fitimi për këta muaj është 10 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaqi, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se Kosova tani ka filluar të eksportojë energji elektrike.

"KEK-u ka një performancë jashtëzakonisht të mirë në këtë gjashtëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me gjashtë muajt e vitit të kaluar, kemi rritje të prodhimit duke filluar nga nxjerrja e thëngjillit, heqja e djerrinës deri te prodhimi final i energjisë elektrike. Kemi tejkaluar planin mbi 20 për qind në pjesën e minierave, në thëngjill dhe djerrinë. Termocentrali Kosova A edhe pse është i stërvjetruar i ka pajisjet e vjetra mbi 60 vjeçare, e ka tejkaluar planin mbi 12 për qind në këtë gjashtë mujor".

Thaqi ka thënë se bazuar në performancën e arritur pritet që edhe në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti të tejkalohen ose dyfishohen rezultatet.

"Termocentrali Kosova B e ka tejkaluar planin për 4 për qind. I kemi rritë investimet kapitale qind për qind , i kemi zvogëluar shpenzimet operative me çka e kemi krijuar një kapital, e kemi rritë kapitalin e kompanisë për 10 për qind krahasim me vitin e kaluar dhe pas gjithë këtyre kemi një fitim për këta gjashtëmujor 10 milionë euro çka është  një sukses i jashtëzakonshëm. Presim që gjashtë muajt e ardhshëm të dyfishojmë këtë sukses për arsye se blloqet i kemi kthy prej remonteve, i kemi të gjitha në prodhim duke pasë parasysh se muajt e parë ka vështirësi për shkak të sezonit të dimrit jemi optimist se në këtë gjashtëmujorin e dytë do t'i tejkalojmë parashikimet tona".

Thaqi në këtë intervistë, tha se reforma që ka bërë me marrjen e mandatit ka treguar shumë sukses. Ndryshimi i kohës së remonteve nga koha e vjeshtës në kohë vere ka bërë që nga 1 shtatori i këtij viti të vihen në dispozicion të gjitha blloqet.

Ai ka treguar se prodhimi maksimal që mund të arrihet dhe që pretendojnë ta arrijnë është 800 megavat.

"Si pikë kyçe apo reformën që e kam bërë kur kam ardhë në krye të KEK-ut ka qenë  ndryshimi  i kohës së remonteve nga koha e vjeshtës, i kemi bërë remontet tash në kohë vere që po tregon sukses. Tani që nga data 1 shtator i kemi në dispozicion të gjitha blloqet që s'ka qenë më parë kështu. Prodhimi maksimal që mund ta arrijmë dhe që do ta arrimë është 800 megavat".

"Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe përpjekjet maksimale, kemi bërë remontin e blloqeve në kohë vere dhe i kemi në dispozicion 5 blloqet e termocentraleve, 2 termocentrale në Kosova B dhe tri blloqe në Kosova A, që të gjitha në gjendje gatishmërie dhe maksimalisht  do të prodhojmë 800 megavat për arse se njëri nga blloqet e Kosova A do të jetë rezervë për shkak të vjetërsisë së pajisjeve që kanë".

"KEK-u operon me licencë të lëshuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike vetëm për prodhimin e energjisë elektrike. Sa i përket furnizimit të konsumatorëve është një operator tjetër që është i licencuar për këtë çështje. Në këtë kohë nuk e besoj që mund të ketë reduktime për shkak se ne kemi tepricë të prodhimit, jemi duke bërë eksport që nuk ka mundësi të ketë reduktime përderisa ne bëjmë eksport".

E duke folur për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, Thaqi tha se ai do të ndërtohet me standarde të Bashkimit Evropian dhe do të plotësojë kërkesën e konsumatorëve për furnizim me energji.