Ekonomi

Ekonomi

Nga talenti në profesioniste: Zana Sahiti - piktore me perspektivë

Publikuar më 07 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Sapo ta takosh Zanën, fytyra e saj e hareshme, menjëherë të jep përshtypjen e një vajze sharmante, dhe me vetëbesim të lakmueshëm. Ndërsa biseda me te, vetëm sa e thellon këtë përshtypjen e parë, duke i parë edhe synimet e saja të qarta.

Zana Sahiti një vajzë e re 16 vjeçare, nxënëse në gjimnazin "Sami Frashëri" në Prishtinë, shembullore në mësime, ka tetë vite që merret aktivisht edhe me pikturën.

Edhe pse e re në moshë, Zana me pasion flet për punimet e saja të deritashme. Ajo i ka një varg pikturash me vlera artistike, që do më thënë, talenti i saj është duke u zhvilluar në profesioniste të vërtetë të kësaj zeje.

Nga dashuria e madhe për pikturën dhe përkushtimi që Zana ka për te, duket se ky hobi i saj, atë gradualisht është duke e shndërruar në profesioniste të vërtetë.

Në një bashkëbisedim ekskluziv për portalin "kosovain.eu" lidhur me rrugëtimin e saj tetë vjeçare me pikturën Zana thotë:

"Si e vogël e kam dashtë vizatimin. Janë prindërit e mi që dëshirën time për vizatim e kanë krijuar në mundësi që të shkollohem specifikisht për këtë degë. Kështu jam regjistruar në shkollën e pikturës "Da Vinçi" te profesori Faton Kryeziu.

Aty kam nis me vizatime, fillimisht nga më të thjeshtat, në letër, e gradualisht këtë e kam avansuar vizatime në pëlhurë me  ngjyra acrylic e më pastaj me ngjyra të vajit".

Shprehje "secila më e mirë se tjetra" vlen pikërisht për pikturat e Zanës të bëra gjatë këtyre viteve. Kjo për faktin se nga vet pikturat që janë bërë me radhë, shihet rrita dhe avansimi i saj në këtë profesion.

Ndërsa në lidhje me rriten dhe zhvillimin e Zanës në pikturim, flet edhe profesori i saj Faton Kryeziu: "Talenti artistik i Zana Sahiti-t nuk kontestohet. Atë e ka dëshmuar që nga  ditët e para të vijimit të kursit. Aftësitë kërkimore dhe këmbëngulja e saj për të arritur cakun e dëshiruar gjithmonë kanë qenë prezentë, pa marrë parasysh kohën që i'a ka kushtuar. Zana është një detajiste e madhe dhe një artiste e përkushtuar, ku me gjëra të  tilla vazhdimisht është në kërkim të perfeksioni".

Duhet theksuar këtu se punimi i Zanës është ekspozuar në një ekspozit kolektive së bashku me grupin "Da Vinçi"  në Lugano të Zvicrës.

Prindërit e Zanës (Naimi dhe Antigona) synojnë që në një të ardhme të afërtë të realizojnë një ekspozitë individuale, në të cilën Zana do të mund të ekspozonte të gjitha punimet e saj të deritashme. Këtë me qëllim që asaj t'i japin akoma më shumë motiv për punë të vazhdueshme dhe për suksese tjera në të ardhmen.