Ekonomi

Ekonomi

Çmimi i metrit të drunjve për ngrohje s'ka ndryshuar, por për qytetarët mbetet i shtrenjtë

Publikuar më 15 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Me afrimin e sezonit të dimrit është rritur edhe kërkesa për sigurimin e drunjve për ngrohje. E çmimet nuk është se kanë shënuar rritje nga vitet e kaluara, por megjithatë mbeten ende të larta për xhepin e qytetarëve.

Shitësi Gëzim Halili, gjatë një prononcimi për Ekonomia Online, thotë se çmimi i drunjve sivjet është 40 deri 45 euro, varësisht prej llojit të drurit. Ndërsa shton se nuk kanë drunj aq sa kanë kërkesa për blerje.

"Drunjtë e bungut janë 45 euro metri, druri i ahut 40 euro. Interesimi i myshterinjve është shumë i madh. Nuk kemi shumë drunj për me i furnizua të gjithë myshterinjtë që janë të interesuar për të blerë drunj, por ne po mundohemi me mundësitë tona që i kemi me i furnizu", tha ai.

Ai thotë që drunjtë i presin nëpër fshatrat e Gollakut dhe i sigurojnë prej fillimit të pranverës, por sipas tij, nuk ka drunj mjaftueshëm.

"Drutë i marrim nëpër fshatra anës së Gollakut dhe kështu i sigurojmë prej fillimit të pranverës, por edhe në fshatra nuk ka dru sa duhet me pas, por me këto mundësi qysh mundemi po ja dalim", thotë ai.

Qytetari Remzi Robelli thotë se çmimi i drunjve nuk ka ndryshuar dhe është i njëjtë si vitin e kaluar, megjithatë ankohet për çmimin e lartë.

"Ata që i shesin ju duket lirë, ndërsa na që i blejmë na duken shtrenjtë. Çmimi është si vitin e kaluar, 45 euro kanë qenë vjet 45 euro janë edhe sivjet". Ai thotë se shitësit po mashtrojnë blerësit me matjen e drunjve, ndërsa kërkon vigjilencë të qytetarëve gjatë blerjes së kësaj lënde.

"Unë që 10 vjet që blej dru, na mashtrojnë. Metri është metër dhe ne duhet t'i masim vet, nuk kemi nevojë t'i lëmë ata t'i masin drunjtë tanë. Diku 90 cm i prenë drutë ata, do të thotë janë prerjet me të shkurtra", thotë ai.

Por një qytetar tjetër po e brengos fakti që këta shitës po shkatërrojnë pyjet. "Kurgja s'ka shtrenjtim në krahasim me vitin e kaluar, bile gjithkush mundohet me hijeshue mallin e vet. Ai që i blen mendon që i ka mashtru, por krejt çka mundet me lu është 20 cm. Po këta çka po shesin valla boll keq po bëjnë se malet janë pre, janë shkatërru krejt", thotë ai.

Ministria e Mjedisit vitin e kaluar ka marrë vendim që të heqë nga përdorimi thëngjillin për ngrohje, për shkak të ndotjes së ajrit. E lëndë kryesore për djegie mbetet druri. (Koha Ditore)