Ekonomi

Ekonomi

Oda Ekonomike Amerikane prezanton potencialet ekonomike të Kosovës në Minnesota

Publikuar më 05 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Me synim të promovimit të potencialeve për investime në Kosovë, lidershipi i Odës Ekonomike Amerikane ka zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet ekonomike dhe tregtare, me odat lokale ekonomike, si dhe bizneset nga shteti amerikan i Minnesotas.

Në kuadër të kësaj vizite, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane janë pritur nga Departamenti Ekonomik i Minnesotas, Zyra Tregtare e Minnesotas, Oda Ekonomike e Qytetit të Saint Paul-it, Oda Ekonomike e Shtetit të Minnesotas, por edhe nga kompani individuale, përfshirë edhe kompaninë e fuqishme inovative "3M".

Delegacioni i Odës Ekonomike Amerikane ka folur për të arriturat e Kosovës përgjatë njëmbëdhjetë viteve si shtet, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin e stabilitetit të përgjithshëm, duke theksuar nevojën e investimeve amerikane jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin. Kosova është prezantuar si një shtet nga i cili kompanitë prodhuese amerikane të cilat do të vendoseshin në Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane do të mund të eksportonin produktet e tyre lehtazi në tregun evropian dhe më gjerë në ato shtete me të cilat Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë.

Ne anën tjetër, Kosova mund të mësojë shumë nga shtetet amerikane, siç është rasti me Minnesotan, e cila duke promovuar një program lehtësirash për investitorët ka arritur të ketë një prani të madhe të kompanive nga lista "Fortune 500" e bizneseve më të fuqishme.

Oda Amerikane ka ftuar për vizitë në Kosovë delegacione tregtare nga shteti i Minnesotas, të cilat do të mund të njoftoheshin nga afër me potencialet ekonomike të shtetit më të ri evropian.