Ekonomi

Ekonomi

Kompanitë që merren me derivate mohojnë se fitojnë 60 deri në 124 për qind

Publikuar më 27 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Shoqata e Ndërmarrjeve, që merret me qarkullim të naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve "SHQNGL", ka kundërshtuar opinionin e Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka konstatuar se në nëntor të vitit të kaluar fitimi i këtyre kompanive ishte rritur për 60 për qind, në dhjetor, fitimi ishte rritur për 124 për qind. Sipas kësaj shoqate, kjo marzhë nuk ka ekzistuar asnjëherë në tregun e Kosovës.

Në Kuvendin e kësaj shoqate, të mbajtur të martën, është kundërshtuar edhe konstatimi i AKK-së për marrëveshje për çmime në mes të këtyre partive. Ato në mënyrë unanime kanë konstatuar se nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje për çmime apo marrëveshje kartel, shkruan sot "Koha Ditore".

Kryetari i Shoqatës, Fadil Berjani, ka thënë se AKK-ja ka gabuar kur i ka akuzuar kompanitë që merren me derivate se kanë një fitim prej 60 deri në 124 për qind dhe se po i mashtrojnë qytetarët.

"16 kompani vitin e kaluar janë hetuar me kurdisjen e çmimeve. Në vitin e kaluar e kemi kundërshtuar dhe nuk do ta pranojmë prapë. Qëndrimi i Shoqatës është se nuk ka pasur marrëveshje dhe nuk ka pasur çmim kartel. Ky komunitet i biznesit e meriton një respekt më të madh, sepse 30% e buxhetit të Kosovës e përbëjnë", ka thënë Berjani.

Anëtarëve të Shoqatës ai u ka thënë se është mirë që të kenë një takim me Autoritetin e Konkurrencës dhe të kundërshtojnë se nuk ka fitim 60 për qind në derivatet e naftës dhe nuk kemi asnjë marrëveshje për çmimin.