Ekonomi

Ekonomi

Taksa 100 për qind mbyll shumë biznese në Luginë të Preshevës

Publikuar më 08 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shumë biznese në Luginë të Preshevës kanë reduktuar numrin e punëtorëve ose janë mbyllur në tërësi, që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur tarifën 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kërkesa e Luginës, që për bizneset shqiptare mos të aplikohet taksa, nuk është pranuar nga Prishtina zyrtare.

Qumështorja Doda në Komunën e Preshevës, në jug të Serbisë, është nga bizneset e shumta që pësoi humbje në taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Deri para vendosjes së taksës një vit më parë, qumështorja Doda, ka eksportuar mbi 70 për qind të produkteve në tregun e Kosovës. Qumështorja është në fazën e mbijetesës. Nga 14 punëtorë tashmë janë vetëm 8.

Pronari i qumështores thotë se përveç humbjeve që i pësoi biznesi i tij, të prekur janë edhe 120 fermerët me të cilët bashkëpunon ai.

"Ata [fermerët] janë njerëz që kanë pësuar më së shumti [humbje], pasi që në vend që të grumbullojnë qumështin për çdo ditë, ne grumbullojmë qumështin në tre apo katër ditë në javë për shkak të sasisë së kufizuar të shitjes së produkteve tona. Ata kanë burimin kryesor të jetesës dhe janë atakuar me këtë problem dhe janë ballafaquar me problemin e ekzistencës", tha Muamer Mehmeti.

Vlera e eksportit në vit të produkteve të Serbisë në Kosovë ka rënë në 4 milionë nga 400 milionë sa ishte para taksës.

Komuna e Preshevës është përpjekur që disa nga bizneseve të cilat pushuan humbje nga taksa 100 për qind, t'u sigurojë subvencione.

"Nga perspektiva lokale, bizneset tona janë dëmtuar, papunësia është rritur, ka pasur largim nga vendet e punës të të rinjve tanë dhe në këtë formë shpërngulja është zhvilluar", tha kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Bizneset shqiptare në këtë pjesë kanë kërkuar që Prishtina t'i përjashtojë nga taksa, por një gjë nuk është pranuar nga Qeveria Haradinaj, e cila ka vendosur tarifën.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, Ragmi Mustafa, thotë se e përkrahën si vendim taksën 100 për qind, por Qeveria e Kosovës u tregua e padrejtë në raport me bizneset shqiptare, pasi që nuk i liroi nga kjo taksë.

"Reagimet tona menjëherë në lidhje me këtë taksë kanë qenë sepse kemi pak biznese shqiptare që veprojnë në Preshevë dhe Bujanoc mbase në Medvegjë asnjë, të cilat kanë plasuar produktet e tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë fushë ka sjell një dëm shumë të madh pasi që këto kompani kanë ulur prodhimin e tyre në zero, kanë lëshuar fuqinë punëtore e cila ka qenë", tha Mustafa.

Ndërkohë, produktet e Kosovës në tregun e Serbisë, si para ashtu edhe pas taksës, janë pak të pranishme.

Para taksës, eksporti i produkteve "Made in Kosova", gjatë një viti nuk ishte më shumë se rreth 35 milionë euro, ndërkaq pas taksës, eksporti i Kosovës në Serbi ka rënë në vetëm 13 milionë euro.