Ekonomi

Ekonomi

Programi për Konkurrueshmërinë e NVM-ve i financuar nga BERZH mbështet bizneset në Kosovë

Publikuar më 15 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Programi për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) në Kosovë që realizohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) synon të përmirësojë konkurrencën e bizneseve dhe mundësitë e tyre për tregtim në rajon dhe me shtetet e BE-së, përmes investimeve të zgjedhura dhe të mbështetura me grante.

Aktualisht nga ky program janë ndarë mbi 9 milionë euro për 30 projekte. Kompanive ju aprovohet një grand prej 15 për qind në shumën e kredisë pas verifikimit të investimit të tyre.

Giovanni Vaccari nga Programi për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë në një bisedë për Telegrafin thotë se të gjitha ndërmarrjet private lokale, sipas përcaktimit të BE-së, kanë të drejtë të aplikojnë.

"Një NVM është një kompani e cila ka më pak se 250 të punësuar, më pak se 50 milionë euro qarkullim vjetor ose 43 milionë euro bilanc vjetor. Kompania duhet të jetë në përputhje me ligjin vendor dhe duhet të jetë e aftë financiarisht për të marrë kredi tek banka vendore që siguron fondet, sipas procedurës së tyre të brendshme. Aktualisht, në Program kemi dy banka pjesëmarrëse: Banka për Biznes dhe ProCredit Bank", thotë Vaccari.

Ai tregon se programi është përqendruar në shëndet, siguri në punë dhe cilësi të produktit.

"Ky program është përqendruar në tre fusha kryesore: shëndetin dhe sigurinë në punë, mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e produktit. Sidomos në këto hapësira, Programi synon të rrisë standardet e zbatuara në NVM-të lokale me standardet evropiane. Prandaj, kur zbaton standardet evropiane në cilësinë e produktit, kompania do të prodhojë më mirë dhe gjithashtu do të prodhojë cilësi më të mirë të produkteve, dhe do të jetë në gjendje të forcojë pozicionin e saj në treg dhe gjithashtu nëse eksporton - edhe në tregun evropian", tregon ai.

Vaccari shpjegon se cilësia e produktit është një pikë thelbësore për NVM-të lokale.

"Sipas mendimit tim, ajo që ne përmendëm tashmë për cilësinë e produktit është një pikë thelbësore për NVM-të lokale. Nëse NVM-të lokale do të jenë në gjendje të përmirësojnë procesin e tyre të prodhimit dhe të përmirësojnë produktet e tyre, tregu i tyre do të jetë më i gjerë dhe ato do të jenë në gjendje të eksportojnë dhe rrisin pozicionin e tyre në të gjithë Evropën", shpjegon Vaccari.

Ai në këtë intervistë tregon udhëzimet se si kompanitë lokale mund të aplikojnë për kredi në këtë program.

"Kompanitë lokale të interesuara për aplikim për kredi sipas këtij Programi mund të shikojnë në faqen tonë të internetit www.web-sme-csp.com ku mund të gjejnë informata në lidhje me kontaktet tona, ka histori suksesi, kriteret e pranueshmërisë dhe gjithashtu në faqen tonë në Facebook, ku ne publikojmë rregullisht postime për aktivitetet tona, por edhe për aktivitetet e parashikuara ku planifikojmë të marrim pjesë, në mënyrë që të mund t'i takojmë personalisht kompanitë e interesuara. Sigurisht, kompanitë mund të na kontaktojnë përmes telefonit tonë mobil 049 562 660 dhe gjithashtu përmes bankave tona pjesëmarrëse. Ato kanë të gjitha informatat rreth Programit dhe si të kontaktojnë Konsulentët e Programit", tregon ai për Telegrafin.

Në kuadër të programit ofrohet po ashtu edhe asistencë teknike që ju mundëson NVM-ve të optimizojnë nevojat investive për të arritur përputhshmëri me Direktivat Prioritare të BE-së. Ky program është zhvilluar për të ndihmuar NVM-të të plotësojnë rregullat e reja dhe të kuptojnë kërkesat për përmirësim në fushën e mbrojtjes së ambientit, mirëqenies dhe sigurisë në punë dhe kualitetit dhe sigurisë së produktit.

Projektet mund të financohen me një ose më shumë kredi me vlerë totale deri në 1 milion euro për çdo kompani ose grup të kompanive. Projektet investuese duhet të përmirësojnë konkurrueshmërinë e kompanisë në çfarëdo tregu dhe të arrijnë përputhshmëri me një ose më shumë direktiva të BE-së.