Ekonomi

Ekonomi

Prevalla përballet me ndërprerje të shpeshta të rrymës, kjo bën që t'i ikin turistët

Publikuar më 11 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

Me reduktime të energjisë elektrike po përballen pronarët e bujtinave dhe turistët në fshatin turistik të Prevallës.

Për qytetarët që zgjedhin këtë fshat si vend për t'u larguar nga qyteti, ndërprerjet e energjisë elektrike paraqesin problem të madh, sidomos për akomodimin e tyre nëpër bujtina, raporton KTV.

Sipas stafit të bujtinave në fshatin turistik të Prevallës, ndalja e rrymës elektrike këtu, ka bërë që shumë turistë të kthehen mbrapa.

Derisa problem kryesor mbetet lidhja e dobët e kabllove elektrike në këtë zonë dhe investimi i vogël për ta përmirësuar gjendjen.

Se rryma po u shkakton telashe bizneseve të Prevallës, e thotë edhe Ibrahim Sallauka.

Sipas tij, kjo është koha e vetme kur ata si pronarë të bujtinave mund të nxjerrin fitime për shkak të fluksit të madh të turistëve, derisa telashet e tilla po ua vështirësojnë atyre punën.

Ai thotë se ky problem ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa edhe përkundër rregullimit të problemit nga KEDS-i, ata përsëri po përballen me reduktime.

E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, përmes një përgjigjeje me shkrim i ka thënë KTV-së se ndërprerja e energjisë ka qenë e domosdoshme, për shkak të intervenimeve në rrjet dhe përmirësimit të tij.

Ai ka shtuar se nuk ka pasur ndalesa të tjera dhe nuk pritet të ketë si shkak i instalimit të rrjetit të ri.