Ekonomi

Ekonomi

Sveçla: Detyrimisht do të bëhet sigurimi shëndetësor për Policinë, çështje muajsh

Publikuar më 07 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Policia duhet të ketë sigurim shëndetësor dhe është çështje muajsh kur do të dalin me veprime konkrete rreth kësaj.

Ai ka insistuar se Policët nuk duhet të lihen në mëshirën e rasteve.

"Jo se ekziston mundësia, por detyrimisht do të bëhet sigurimi shëndetësor. Ata nuk duhet të lihen në mëshirën e rastit. Ka shumë raste kur ata janë lënduar në detyre dhe më pas kanë qenë në mëshirën e sindikatës", ka thënë Sveçla.

Tutje ai ka thënë se MPB-ja ka vullnetin për të punuar më tepër në këtë çështje, por varet edhe nga Ministria e Financave.

"Normalisht se është edhe çështje e Ministrisë së Financave, por mund të them se vullneti i MPB-së për të arritur këtë nuk do të mungojë. Nuk mund të flasë për afate konkrete, por është çështje muajsh kur ne do të dalim me vendime të këtilla", ka thënë ai.

Sveçla: Kërkesa e PDK-së për Komision Hetimor në rastin "Dehari" e pakuptimtë, ata e bllokuan zbardhjen e rastit

Duke folur për kërkesën e PDK-së për inicimin e Komisionit Hetimor për vdekjen e Astrit Deharit, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se është i çuditur me këtë veprim sepse pozita e atëhershme i kishte të gjitha mjetet për ta zbardhur rastin.

"Për tërë këto vite ne jemi ballafaquar me bllokadë të institucioneve për rastin e Astrit Deharit. Nuk kam problem me themelimin e Komisionit, por ne së bashku me familjen kemi bërë të pamundurën që e vërteta të shtyhet përpara. Kemi angazhuar edhe ekspertë të jashtëm të cilët edhe kanë qenë të kërcënuar nga ish-ministrja e Drejtësisë", ka thënë ai, duke shtuar se ata që kanë qenë të përfshirë në këtë rast do të japin përgjegjësi.

Ai thotë se të gjithë do të vihen para drejtësisë.

Ndërkaq lidhur me akuzat për pjesëmarrje në organizatën "Syri i Popullit", ai ka thënë se është çështje e drejtësisë që të vendosë.

Sipas tij asnjë grupacion i tillë nuk ka lidhje me Vetëvendosjen.

Duke folur për koalicionin VV-LDK Sveçla, ka thënë se Konjufca nuk ka dhënë dorëheqje por është emëruar ministër i Punëve të Jashtme.

Ai ka thënë se duke parë nevojën që koalicioni të ndodhë, nuk ka pasur hezitim që të marrin hapat e nevojshëm.

Sveçla ka thënë se nëse do të përdorej një skenar tjetër atëherë do të kritikoheshin se luftuan për pozita.

Sipas tij, është një disponim i mirë nga të dyja partitë për të bashkëpunuar në të mirë të programit për të cilin janë dakorduar.

Ai thotë se janë befasuar për të mirë edhe nga stafi të cilin e kanë gjetur në institucione.

"Unë jam i bindur që me shumicën pre tyre do ta arrijmë bashkëpunim për ndryshim", ka thënë ai.

Sveçla thotë se s'ka kurrfarë inate ndërmjet Vetëvendosjes dhe Policisë

Xhelal Sveçla, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se asnjë polic nuk duhet të frikësohet nga ndonjë hakmarrje, por insiston se janë për të vënë drejtësinë në vend.

"Të gjithë ata që kanë rënë ndesh me ligjin gjithsesi se duhet të frikësohen sepse s'do të ndalemi para asnjë padrejtësie. Por, asnjë polic nuk duhet të frikësohet nga ndonjë hakmarrje. Secili do të gjykohet për gjërat që ka bërë. Edhe për shkak të qëllimeve të caktuara edhe jemi keqkuptuar. VV-ja nuk ka qenë kurrë kundër institucioneve të Kosovës, por ndonjëherë jemi ballafaquar me Policinë, por ne kemi bërë punën tonë ndaj kombit, e Policia atë të ligjit", ka thënë Sveçla.

Ai insiston se nuk ka kurrfarë inate ndërmjet Vetëvendosjes dhe Policisë.

"Nuk ka arsye se këtyre roleve në të kaluarën t'u japim rëndësi më të madhe se që kanë. Nuk ka kurrfarë inate të Vetëvendosjes me Policinë, por nëse dikush ka shkelur ligjin atëherë do të ballafaqohet për të. Absolutisht nuk do të përdorim kundër kundërshtarëve politikë. Policia e Kosovës ka misionin e vet të përcaktuar me ligj dhe duhet ta zbatojë atë me përpikëri", ka thënë ai.

Sveçla tutje ka bërë thirrje që qytetarët të ngritin tani zërin sepse kanë ku të drejtohen.

"Ne besojmë se protestat janë pjesë e demokracisë për të çuar shoqërinë përpara. Ne e dimë shumë mirë se nuk jetojmë në një shoqëri ku jemi larg perfektes. Sigurisht se do të ballafaqohemi me pakënaqësi, e bëjmë thirrje që qytetarët të ngritin zërin sepse tani kanë ku të drejtohen. Nuk inkurajojmë që njerëzit të veprojnë në kundërshtim me ligjin", ka thënë ai.

Edhe Sveçla thotë se vendimet e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt do të shqyrtohen.

"Kurti ishte shumë i qartë në deklarimin e tij, dhe besoj se tashmë shoqëria jonë e di se kryeministri është një person i vendosur në arritjen e asaj se çfarë deklaron, dhe besoj se çdo vendim i marrë pas dorëheqjes së Haradinajt do të rishikohen dhe në bazë të vlerësimeve edhe do të anulohen. Ish-kryeministri nuk kishte të drejtë të bënte këto emërime. Nëse ne bazohemi në ligj, presidenti nuk ka të drejtë të bllokojë këto çështje. Nëse synimi i tij është që të bllokojë qeverisjen e tij në mënyrë të paligjshme ne do t'i drejtohemi pa hezitim kushtetueses", ka thënë Sveçla.

Ai tutje ka folur për ekstradimin e shtetasve turq, gjë për të cilën thotë se një skenar i tillë nuk mund të ndodhë në qeverisjen Kurti.

"Ne do të zbatojmë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, nëse kërkesat e kujtdo çoftë janë të bazuara në konventa ndërkombëtare dhe në kushtetutën e Kosovës ne do të zbatojmë ato kërkesa, përndryshe nuk do të bëjmë", ka thënë Sveçla.

Tutje ai ka folur edhe për bashkëpunimin që do të ketë me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, me të cilin pret një bashkëpunim shumë konstruktiv.

"Jam takuar me ministrin Veliu, kemi pasur një bisedë jashtëzakonisht konstruktive. Unë kam shfaqur gatishmërinë time të bashkëpunojmë pa nuanca polikë që na kanë dalluar para koalicionit. Në platformën e VV-së e përgatitur në fushatën parazgjedhore kemi theksuar sundimin e ligjit si një prioritet për qeverisjen Kurti, po ashtu kemi theksuar interesimin tonë për të udhëhequr me këtë ministri, por me marrëveshjen me LDK-në kjo i takuar asaj dhe ne jemi në rregull me këtë. Besoj se nëse ka vullnet të mirë për bashkëpunim ka nevojë për punë të mirë nga të gjithë, jo vetëm nga ne të dy, por nga i gjithë stafi dhe ekspertët që mund të kyçen në proces duke qenë se nevojat janë të mëdha për vendosjen e rendit dhe ligjin dhe mundësinë që ky shtet të vendoset në rrugën e duhur", ka thënë ai.

23:43

Sveçla: Zyrtarët e korruptuar në Polici do të dalin para ligjit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo javë është e rëndësishme për VV-në dhe për Kosovën, duke marrë parasysh nevojat me të cilat ballafaqohet vendi.

Duke folur për qeverisjen e VV-së ai ka thënë se ata do ta respektojnë opozitën.

Sveçla ka thënë se dëshirojnë të bashkëpunojnë me ta për çështjet e rëndësishme por edhe në punët e përditshme.

Duke folur për pozitën e tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai ka thënë se mandatin e kaluar ishte pjesë e Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, dhe sipas tij ishte e logjikshme që do ta mbulonte këtë fushë.

"Qëllimi im është që më të mirën në Polici ta bëjmë në spikamë, të gjitha ato dukuri negative që kanë karakterizuar punën e Policisë të ndalohen dhe kështu jo vetëm deklarativisht por në substancë Policinë ta bëjmë institucionin më të besuar. Ne kemi qenë në njohuri për këto ngjarje, opinioni e ka ditur që ekziston një problem për vjedhje të identitetit dhe rrjedhimisht ka qenë e pritshme të intervenohet në këtë drejtim", ka thënë ai.

Sipas tij, e gjitha fryma e ndryshimit ka ndikuar në përshpejtimin e reagimit të strukturave policore.

Duke folur për arrestimet e fundit të zyrtarëve policorë, ai ka thënë se kjo nuk ka ndodhur me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje, por me vendosmërinë e qytetarëve për ndryshim.

Sveçla thotë se do të punojnë që puna e mirë e policisë të mos njolloset nga individë të caktuar.

"Edhe policia edhe MPB janë njohur në publik për skandale të ndryshme por çfarë është jashtëzakonisht e dëmshme është mos zbulimi i tyre dhe mosndëshkimi i tyre. Qëllim i ynë është që këto raste të zbulohen dhe të gjithë akterët të përjashtohen nga policia dhe të ndëshkohen nga ligji", ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk do të jetë e lehtë por është e domosdoshme.

Sveçla ka thënë se presin raporte korrekte me drejtorin e Policisë. Ai ka thënë se nuk është e drejtë t'i përndjekin ata që nuk kanë mbështetje por se drejtësia duhet të vendoset në çdo rast.

Sipas tij, për vendosjen e Shpend Maxhunit në Polici, duhet të vendosë Prokuroria.