Ekonomi

Ekonomi

Pronarët privatë pengojnë zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë

Publikuar më 24 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Shumë pengesa kanë dalë në realizimin e projektit për zgjerimin e magjistrales Podujevë - Prishtinë, që ka filluar në vitin 2016. Edhe pse kanë kaluar katër vjet prejse kishin filluar 4.23 km e para, ato ende nuk janë përfunduar.

Njësoj ka ndodhur edhe me pjesën tjetër që kishte filluar më 2018. Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit (MIA), duke iu referuar dy raporteve të kompanive kontraktuese në ty tenderët e parë, kanë thënë se një pjesë e rrugës ku parashihet zgjerimi kalon nëpër pronë private, shkruan sot Koha Ditore.

Në përgjigjet me shkrim, zyrtarët e MIA-s kanë theksuar se pronarët privatë kanë penguar realizimin e këtij projekti.

"Punimet janë kryer dhe do të kryhen sipas projekteve të aprovuara nga MIA. Punimet do të vazhdojnë posa të fillojë sezoni i ndërtimit dhe të mënjanohen pengesat në ekzekutim", thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Por, të njëjtit nuk kanë treguar sa mjete i kanë paraparë për sivjet për këtë projekt dhe as nëse do të punohet në pjesën e papërfunduar (që ka mbetur në gjysmë) apo do të lidhet kontratë e re tutje nga fshati Sibofc.

Në rreth 8 km sa është punuar nga viti 2016 e që ka filluar nga rruga kryesore e qytetit të Podujevës "Zahir Pajaziti" dhe ka vazhduar në drejtim të Prishtinës, askund nuk është ndërtuar shiriti ndihmës për hyrje-dalje, asnjë vend-ndalje për autobusë dhe asnjë rrethrrotullim (përjashto atë që kryqëzohet me rrugën "Zahir Pajaziti" afër Hotel "Besiana"), mbikalim ose nënkalim për automjete.

Në mungesë të tyre, ngasësit çdo ditë rrezikojnë duke e ndërruar kahun e drejtimit nga shiriti i shpejtë duke dalë në shirit të shpejtë. Po ashtu, për shkak të mungesës së shiritit ndihmës (zgjerimi për kyçje dhe shkyçje), banorë të disa lagjeve rrezikojnë çdo ditë duke u inkuadruar direkt në shiritin e shpejtë, ndërkohë që për shkak të tatëpjetës së madhe nga rruga e lagjeve, shikueshmëria mungon.