Ekonomi

Ekonomi

Problemet në të cilat po hasin banorët e Prishtinës gjatë procesit të legalizimit të shtëpive

Publikuar më 07 Mars 2020

Artikuj të ngjashëm

Rreth 50 mijë objekte pa leje ishin evidentuar në vitin 2013 në kryeqytet. Nga to në procesin e legalizimit të atëhershëm vetëm 300 sosh ishin legalizuar.

Fajin për këtë numër të vogël i mbeti Ligjit për Trajtim të Objekteve Pa leje.

Për këtë tashmë ka një ligj të ri për trajtim të ndërtimeve pa leje, i cili liroi çmimin e legalizimit në vetëm 1 euro për metër katror, raporton KTV.

Por ndonëse u tha se ky ligj do të mundësojë legalizim me më pak dokumente, një gjë e tillë duket se nuk po ndodh.

Sërish ka pak legalizime dhe sërish banorët e kryeqytetit po hasin në probleme gjatë procesit të legalizimit.

Ligji i ri, duke iu referuar atij për Kadastër, pronat e qytetarëve i ka futur në bashkëpronësi me fqinjët e tyre.

Kjo i bie që dhjetëra shtëpi të figurojnë në vetëm një parcelë.

Si rrjedhojë, për të legalizuar shtëpinë, një qytetari i duhet të sigurojë autorizimin e dhjetëra fqinjëve të tij, proces i cili po konsiderohet si vështirë i realizueshëm.

Ilaz Sylejmani dhe Ekrem Smaili, banorë të lagjes "Kodra e Trimave" janë dy nga qytetarët që nuk po mund t'i legalizojnë shtëpitë e tyre si pasojë e këtyre procedurave që ata i vlerësojnë të komplikuara.

Këta banorë po kërkojnë që shteti t'u dalë në ndihmë për legalizimin e shtëpive të tyre, përmes largimit të këtij kriteri.

Me të njëjtin problem si Sylejmani dhe Samaili, përballet edhe fqinji i tyre Shukri Zullufi.

Ai thotë se këto procedura po i dëmtojnë edhe financiarisht.

Në Drejtorinë e Urbanizmit thonë se kjo çështje është problematike edhe për komunat e tjera.

Sipas drejtorit Ardian Olluri, po bëhet përpjekje që bashkë me Ministrinë të gjejnë zgjidhje brenda ligjit ekzistues.

Për Ollurin, një tjetër ndryshim i ligjit në këtë faze është vështirë i arritshëm.

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka thënë se aktualisht nuk planifikon ndryshime ligjore në procesin e legalizimit, por ka paralajmëruar lehtësim të procedurave për rregullimin e pronave.

"Në bazë të takimeve të mbajtura dhe informatave qe kemi, Agjencia Kadastrale e Kosovës se fundmi ka krijuar kornizë te re ligjore duke krijuar procedura me te lehta për rregullimin e pronësisë", është thënë nga kjo ministri.

Urbanizmi komunal ka në shqyrtim gjithsej 772 lëndë për legalizim të shtëpive.

Sipas statistikave të këtij dikasteri, 536 aplikime janë bërë në 2010-n, gjatë viteve 2015/2016 nuk ka pasur asnjë aplikim.

2019-a është mbyllur me 153 aplikime, ndërsa këtë vit deri më tani Komuna ka pranuar 83 kërkesa për legalizim të shtëpive.