Ekonomi

Ekonomi

Kërkohet që të mbyllet sa më parë procesi i privatizimit në Kosovë

Publikuar më 02 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Shumë nga ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, të cilat ishin privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk kanë arritur të funksionalizohen dhe rrjedhimisht, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, po konsiderohen si të dështuara.

Sipas tyre, privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk i ka arritur objektivat e veta ekonomike duke theksuar se ky proces duhet të përmbyllet sa më parë që të jetë e mundur.

Procesi i privatizimit ka filluar rreth 16 vjet më parë nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit që u pasua më vonë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

"Që nga kjo periudhë janë nënshkruar 1,809 kontrata të privatizimit, me një vlerë financiare rreth 733 milionë euro", thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga zyrtarë të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës.

Sipas Agjencisë, nga asetet e privatizuara deri më tash numri më i madh i tyre është blerë nga qytetarët e Kosovës, 1,772 asete me një vlerë prej rreth 632 milionë euro.

"Në këtë proces nuk ka munguar edhe interesimi i blerësve nga vendet e ndryshme të Evropës dhe botës. Rreth 37 prona me vlerë prej 101 milionë euro janë privatizuar nga investitorë të huaj. Investitorët nga Zvicra kanë privatizuar nëntë asete me vlerë prej 32 milionë euro, për nga vlera financiare pason Greqia më 30 milionë euro me një ndërmarrje, pastaj investitorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë privatizuar katër ndërmarrje më mbi 7 milionë euro", theksohet në përgjigjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Ndërsa 8 për qind e pronave të përgjithshme janë blerë nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës me një vlerë prej mbi 57 milionë euro.

Pavarësisht këtyre shifrave, Mejdi Bkatashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se transformimi i pronësisë shoqërore në atë private është stërzgjatur dhe ka ndikuar shumë në stagnimin e zhvillimit ekonomik, por edhe në dekurajimin e investimeve të huaja në Kosovë.

"Mund të them se nëse e krahasojmë procesin e privatizimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo edhe me shtetet tani ish-socialiste që janë në Bashkimin Evropian, ky proces lirisht mund të themi se është i dështuar pasi që një pjesë e madhe e ish-ndërmarrjeve shoqërore në vend që të angazhojnë kapacitete dhe të hapin vende të reja të punës, janë shndërruar në kantiere të ndërtimit për banesa apo për qëllime tregtare", tha Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Haxhi Arifi, ish-anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thekson se procesi i privatizimit duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur.

"Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore ka mundur të ketë efekte më të mëdha ekonomike. Agjencia është dashur të përfundojë procesin e privatizimit, pasi zvarritjet e procesit tashmë janë jashtë rregullave normale të privatizimit", tha Arifi.

Ndryshe, shumica e ndërmarrjeve të shitura në Kosovë ose 721 ndërmarrje janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special.

Me metodën e spin-off special, janë privatizuar 26 ndërmarrje me një vlerë prej rreth 93 milionë euro. Te këto të fundit, privatizimi nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Qeveria në largim e Kosovës, vitin e kaluar ka qenë e interesuar që brenda një periudhe të shpejtë kohore ta përmbyllë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Kurse, në programin e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që ka fituar shumicën e votave nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 6 tetorit dhe pritet të drejtojë qeverinë e ardhshme, thuhet se, "Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj do t'i kalojnë Fondit Sovran i cili është fond investues dhe instrument i zhvillimit industrial".