Ekonomi

Ekonomi

Reciprocitet përmes CEFTA-s ndaj Serbisë

Publikuar më 08 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Çdo masë që Serbia ka vendosur në raport me Kosovën, si kundërpërgjigje mund të ketë vendosjen e masave reciproke nga Kosova në raport me Serbinë. Kështu kanë paralajmëruar dy partitë që aktualisht janë në bisedime për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia e dytë.

Masat e reciprocitetit, sipas këtyre dy partive politike, do të mund të zëvendësojnë taksën 100 për qind, të cilën Qeveria në largim e Kosovës e ka vendosur që nga nëntori i vitit 2018 ndaj të gjitha importeve nga Serbia, por edhe nga Bosnjë e Hercegovina.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është edhe kandidati për kryeministër të Kosovës, tashmë disa herë ka deklaruar se është i gatshëm që taksën 100 për qind të zëvendësojë me masat e reciprocitetit.

Këto masa, sipas tij, do të përfshijnë veprimet e njëjta të Kosovës në raport me Serbinë karshi tregtisë me mallra, certifikatave të prodhimit të mallit, targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, diplomave universitare, shpedicionin e kështu me radhë.

Zyrtarë të Qeverisë në largim të Kosovës thonë se Prishtina zyrtare ka hapësirë të mjaftueshme të zbatojë masa reciproke ndaj Beogradit dhe Sarajevës zyrtare.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se, as tarifa, as reciprociteti nuk janë të mirëseardhura në tregtinë ndërmjet shteteve.

Por, në momentin, siç thotë ajo, që një shtet fillon të ndryshojë sjelljen ndaj shtetit tjetër, me të cilin ka marrëdhënie kontraktuale tregtare, siç ka Kosova me disa vende të rajonit përmes Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA), atëherë është e lejueshme që të njëjtat masa të zbatohen edhe nga shteti që është dëmtuar.

"Reciprociteti duhet të zbatohet vetëm në ato raste, kur njëri vend bën një trajtim ndryshe ndaj një vendi tjetër. Për shembull, po e ilustroj, Serbia dhe Bosnja Hercegovina ushtrojnë praktika të padrejta tregtare ndaj Kosovës, atëherë edhe Kosova mund të bëjë një gjë të tillë. Gjithmonë po flas sipas praktikave ndërkombëtare. Serbia nuk i njeh targat e automjeteve të Kosovës, gjithashtu nuk njeh edhe dokumentet tregtare, pra ato të udhëtimit, atëherë edhe Kosova mund të aplikojë të njëjtin veprim ndaj shteteve të apostrofuara", shpjegon Dervisholli.

Një ndër marrëveshjet më kryesore në aspektin tregtar që Kosova ka nënshkruar, është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA), marrëveshje kjo që jo rrallëherë ka hasur në pengesa nga vendet anëtare të saj. Vende anëtare të CEFTA-s, përveç Kosovës, janë edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë Hercegovina dhe Moldavia.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, japin vlerësime të ndryshme rreth aplikimit të masave, qoftë tarifore ose reciproke.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, thotë se pengesa të shkëmbimeve tregtare në mes vendeve të rajonit ekzistojnë, por ai thekson se çdo barrierë tarifore ose jotarifore është në kundërshtim me frymën ose zotimet që Kosova ka ndërmarrë me nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë.

Sipas tij, në Marrëveshjen për Tregti të Lirë ka mekanizma konkretë që mundësojnë adresimin dhe zgjidhjen e problemeve tarifore dhe jotarifore ndërmjet shteteve anëtare të marrëveshjes.

"Thirrja e Odës Ekonomike Amerikane karshi Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeverisë së Kosovës ka qenë që t'i shfrytëzojë këta mekanizma në kuadër të marrëveshjes CEFTA, që parashohin zgjidhjen e çfarëdo kontesti tregtar në mes palëve nënshkruese të marrëveshjes",thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, e quan të paarsyetuar vendosjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës nga Qeveria në largim. Ai nuk pajtohet as me propozimin e kandidatit për kryeministër Albin Kurti që kjo taksë doganore të zëvendësohet më reciprocitet.

"Duke marrë parasysh qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare karshi Kosovës dhe dialogut (Kosovë-Serbi), mendoj se Kosova me këto potenciale dhe me këtë pozicion politik që ka, nuk mund të udhëheqë dhe nuk ka komoditet që të sillet thuajse është një shtet me sovranitet të plotë dhe një shtet që mund të krijojë mekanizma të tillë".

"Kosova është në atë pozitë që sugjerimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të jenë udhërrëfyes për dalje nga kjo situatë dhe për të ecur përpara në procesin e shtet ndërtimit", vlerëson Ramosaj.

Shtetet e Bashkuara të dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkak që Serbia të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve me Kosovën, deri në heqjen e tarifave doganore apo taksës.

Qeveria në largim e Kosovës, më 21 nëntor të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.