KURIOZITETE

KURIOZITETE

Historia e "faljes" së gjelit të detit nga presidentët amerikanë

Publikuar më 23 Nëntor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

"Falja" e përvitshme nga presidentët amerikanë e gjelit të detit në Shtëpinë e Bardhë është një traditë interesante që i paraprin Festës së Falenderimeve.

Thuhet se mëshira që tregoi presidenti Abraham Lincoln për një gjel deti, është zanafilla e ceremonisë së faljes që tashmë mbulohet gjerësisht nga mediat. "Zëri i Amerikës" përgatiti këtë kronikë:

Ka histori të shumta rreth origjinës së faljes së gjelit të detit për Ditën e Falenderimeve, thotë historiani Edward Lengel, i Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë. Disa prej këtyre historive i referohen Presidentit Abraham Lincoln gjatë periudhës së Luftës Civile.

"Ai kishte një djalë të quajtur Ted që bënte shaka me Presidentin Abraham Lincoln për një gjel deti që mbante pas vetes dhe që lëvizte përmes kutive të votimit në vitin 1864. Linkolni e pyeti se ç'bënte ai aty. A kishte ardhur për të votuar?" tregon historiani Edward Lengel.

I biri iu përgjigj se gjeli i tij nuk votonte dot pasi ishte në moshë të vogël.

"Në vazhdim, Presidenti Lincoln e fali gjelin e detit duke e shpëtuar nga mundësia e therjes për tryezën e Falenderimeve", thotë zoti Lengel.

Kur ishte president Harry Truman në vitet 1940-të, ai çdo vit e linte të lirë gjelin e detit në Ditën e Falenderimeve. Rreth 20 vjet më vonë, Presidenti John F. Kennedy vendosi t'i kursejë jetën gjelit që i sollën në Shtëpinë e Bardhë për Ditën e Falenderimeve. Kennedy tha "Do ta fal këtë gjel dhe do ta lë të rritet".

"E dimë me siguri se ishte Presidenti Kennedy që e filloi këtë traditë të faljes, e cila ka vazhduar që nga ajo kohë", thotë zoti Lengel.

Shtëpia e Bardhë i merr gjelat me ndihmën e Federatës Kombëtare të Gjelave të Detit.

"Që nga koha e Presidentit Truman, çdo vit zhvillohet një ceremoni zyrtare në Shtëpinë e Bardhë për faljen e gjelit të detit", thotë zoti Lengel.

Gjelat e falur shpesh dërgohen në një kopsht zoologjik. Ndërsa gjeli që gatuhet për vaktin e presidentit, blihet me të ardhurat e tij dhe përgatitet sipas shijeve personale dhe të familjes së tij.