KURIOZITETE

KURIOZITETE

Qytetërimi kinez daton 6,000 vjet më parë

Publikuar më 01 Qershor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Autoritetet kineze kanë njoftuar një sërë arritjesh të reja të një projekti të madh kërkimor lidhur me origjinën e historisë 5 000-vjeçare të Kinës, sipas CRI-së.

Studimi "Kërkim gjithëpërfshirës për origjinën e qytetërimit kinez dhe zhvillimin e hershëm të tij", synon të kuptojë se si është formuar qytetërimi kinez dhe se si u integruan me njëri-tjetrin qytetërimet e ndryshme në vend, transmeton ATSH.

Studimi përfshin gërmimet në më shumë se 40 vendndodhje të lashta, duke përfshirë Liangzhu-në në provincën Zhejiang, Taosi-në në provincën Shanxi dhe Shimao-n në Shaanxi.

Që prej vitit 2001, kanë përfunduar katër faza të ndryshme të projektit.

Gërmimet kanë zbuluar atë që besohet të jetë sistemi më i hershëm i digave në botë, pallatin e parë perandorak në Kinë dhe prototipin e hieroglifeve kineze të sotme.

Guan Qiang nga Zyra Shtetërore e Relikeve Kulturore vëren se besohet se qytetërimi kinez mund të datojë gati 6 000 vjet më parë:

"Shenjat më të hershme të qytetërimeve u shfaqën rreth 5 800 vjet më parë në rrjedhën e poshtme dhe të mesme të Lumit të Verdhë dhe të lumit Jance, si dhe përgjatë degëve më të mëdha të lumit Liao në pjesën jugore të Kinës Verilindore. Rreth 5 300 vjet më parë, ne besojmë se të gjitha rajonet në të gjithë Kinën e sotme kanë hyrë në një periudhë qytetërimi".

Studiuesit kinezë kanë zbuluar gjithashtu se rreth 3 800 vjet më parë, një formë më e konsoliduar qytetërimi u shfaq në Kinën Qendrore e filloi të rrezatonte ndikimin e vet, duke e bërë këtë zonë një forcë kryesore në zgjerimin e qytetërimit kinez.

Ata gjithashtu kanë konfirmuar se origjina dhe zhvillimi i hershëm i qytetërimit kinez është rrjedhojë e një procesi të integrimit të qytetërimeve të ndryshme. Një gjë e tillë mendohet të ketë çuar jo vetëm në themelimin e dinastive Xia, Shang dhe Zhou, por edhe në krijimin e atij vendi shumetnik që është Kina sot.

Ndërkohë që, studiuesit kanë vënë në dukje gjithashtu ndikimin që ka pasur qytetërimi kinez nga jashtë, duke përfshirë futjen e teknikave për kultivimin e grurit, mbarështimin e lopëve e deleve, si dhe shkrirjen e bronzit.