KURIOZITETE

KURIOZITETE

Muzikanti i pazakontë me gota qelqi (Video)

Publikuar më 03 Shtator 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Muzikanti Jamey Turner zgjodhi një rrugë të pazakontë karriere, duke prodhuar tinguj muzikorë nga gotat e qelqit të mbushura me ujë. Ai rrëshqet me mjeshtëri mollëzat e gishtërinjëve mbi buzët e gotave, duke krijuar një sërë notash muzikore.

Zëri i Amerikës në Aleksandria të shtetit Virxhinia ku mjeshtri i pazakontë i muzikës tërheq shumë turistë me tingujt që krijon.

Muzikanti me gota, Jamey Turner, tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve në Aleksandria, me melodinë e famshmetë Bethovenit "Ode to Joy".

Ai ka mbi 25 vjet që ofron tingujt e muzikës në rrugët e Aleksandrias.

Turistë të shumtë vizitojnë "Qytetin e Vjetër" historik pak kilometra larg kryeqytetit, shumë prej tyre janë të huaj. Nicole Schwarss është turiste nga Gjermania.

"Është hera e parë që dëgjoj diçka të tillë. Është fantastike".

Almudena Casdaneda është vizitore nga Meksika.

"Një mënyrë e veçantë për të prodhuar muzikë dhe duket mjaft e vështirë, sidomos të mbash mend tingujt që prodhon secila gotë."

78 vjeçari Jamey Turner filloi të prodhonte tinguj nga gotat me ujë 50 vjet më parë. Megjithëse ai u bie instrumenteve të tjera, ky është pasioni i tij.

"Instrumenti që më ngjalli imagjinatën ishte tingulli që dëgjova kur im atë luante me një gotë në tavolinën e darkës, kur unë isha 6 vjeçar."

Ai monton me llastik 60 gota të ndryshme vere mbi një dërrasë. Çdo gote i jep tingullin përkatës në bazë të masës së ujit të distiluar që ai përdor. Ndërsa Turner rrëshqet gishtat mbi buzët e gotave, më të voglat prodhojnë nota më të larta, ndërsa gotat e mëdha çlirojnë nota më të thella.

"Sa më shumë ujë ka gota, tingulli bëhet më i ulët", sqaron artisti.

Disa vizitorë patën rastin të provojnë gotat më të mëdha. Vogëlushja Joeli Pepe nga Nju Jorku është mjaft kureshtare.

"Nuk e dija që gotat shërbejnë edhe si instrument. Nuk e dija që prodhonin kaq shumë tinguj."

Muzika nga gotat e qelqit ishte popullore në vitet 1700, kur kompozitorët klasikë si Moxarti krijuan muzikë pikërisht për këtë instrument. Zoti Turner luan disa lloje melodish, përfshirë këtë pjesë popullore kineze.

Ky talent i ka siguruar muzikantit jetesën, edhe pse ka interpretuar me orkestra të njohura amerikane. Ndërsa ka pak njerëz që përdorin gotat si instrument muzikor, Turner shpreson që gjeneratat e ardhshme ta trashëgojnë atë.

"Mendoj se po përhapet. Shumë njerëz kanë parë videot e mia në Youtube; kam parë videot e shumë njerëzve që eksperimentojnë me këtë instrument. Kur dëgjon tingujt e saj, buzëqeshja lind vetvetiu."