KURIOZITETE

KURIOZITETE

Në Orosh të Mirditës shfaqet në natyrë portreti i Skënderbeut

Publikuar më 29 Shtator 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në qendër të Oroshit, në një lëndinë të pjerrët, këto ditë është shfaqur portreti gjigant i Heroit ton Kombëtar. Skulptori, bir i Oroshit Llesh Biba, e ka gdhendur atë në lëndinë me mjete rrethanore si degë të holla pemësh, lëkura të tyre dhe bar lëndine ku ka bërë kuriozë mjaft vizitorë të huaj dhe vendas.

Oroshi është një zonë malore mjaft atraktive me mundësi të shumta për zhvillimit e agroturizmit dhe turizmit malor. Janë të përhapura lëndinat, burimet, shpatet e thepisur dhe kullotat alpine. Zona më interesante është Nënshejti me burime uji dhe" Fushat e Lugjeve" me mundësi për turizmin malor. Oroshi është gjithashtu një vend i rëndësishëm historik dhe kulturor. Këtu ndodhej bërthama e krijimit të krahinës së Mirditës dhe njëkohësisht në shek XV ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të rezistencës antiosmane.

Në Orosh ka qenë edhe abacia e Mirditës. Kjo është një zonë me mjaft objekte të trashëgimisë kulturore dhe të kultit. Ka një histori të pasur bëmash dhe ngjarjesh që lidhen dhe me Heroin tonë Kombëtar Skënderbeu. Dhe pikërisht, në Vitin e Skënderbeut edhe në Orosh është shfaqur madhërishëm portreti i Heroit tonë Kombëtar. Kjo histori që lidhet dhe me Mirditën ka frymëzuar skulptorin Llesh Biba, që ka sjellë në natyrë portretin e Skënderbeut. Lleshi rrjedh prej kësaj zone dhe e njeh mirë historinë dhe traditën e saj. Ai më parë ka ndërtuar në natyrë "Sofrën e Burrave" ku rreth saj mund të ulen deri në 300 persona. Këto objekte simbolike të historisë dhe traditës,kanë bërë që drejt oroshit të lëvizin më shumë kureshtar dhe dashamirës të natyrës së virgjër. Një fshat piktoresk i radhitur nga Qeveria Shqiptare në "100 fshatrat"me zhvillim parësor për ekonominë dhe turizmin,nën këmbët e malit me emrin Nënshenjt dhe me fshatra të tjerë për rreth si Lajthiza, Ndërshenë e Lari, mundësojnë turizmin natyrorë dhe atë familjar. Mikpritja në traditën e mirditorit është një nga virtytet më të rëndësishme e të hershme. Por turizmi familjar për mirditorët është një praktikë e re, që kërkon edhe parapërgatitje për krijimin e një mjedisi tërheqës për turistët. Kjo zonë nuk ka vetëm natyrën e bukur por edhe një histori qindra vjeçare. Edhe pylli, edhe guri, edhe majat e maleve e kanë një histori, thonë ata.

Mirdita ka edhe shumë qendra arkeologjike si në Prosek, Përlat e Bukmirë, Kodër Rrëshen dhe Bukël. Të njohura në harta dhe si Bjeshkët e Kuzhnenit, përbëjnë një bllok të pandarë.

Është përgjithësisht një bjeshkë nga më interesantet në veriun e Shqipërisë, me dy fusha (Laja e Madhe dhe Laja e Vogël), Fushën Gjobardh, Fushë Benën, Livadhin e Hamzit etj. Nga kjo bjeshkë nis burimi i lumit të Gjadrit që përshkon Zadrimën me të cilën kufizohet Mirdita në pjesën perëndimore të saj.

Kjo është një zonë me bukuri të rrallë natyrore ku mund të praktikohet turizmi gjithpërfshirës, i gjelbër, i bardhë, kulturor dhe historik. Në Orosh gjendet dhe një shpellë tepër e veçantë, "Shpella e Pashës" . Specialistët e AdZM-së Lezhë, kanë vendosur shkallë në këtë shpellë me qëllim që ajo të bëhet e vizitueshme nga turistët.Kjo ndërhyrje u bë në bashkëpunim me banorët e zonës, duke bërë të mundur që kjo shpellë të jetë funksionale dhe e vizitueshme edhe në brendësi të saj.Që ky atraksion turistik të bëhet i prekshëm, kërkohet një vëmendje më e madhe në drejtim të infrastrukturës rrugore. Ajo është e vjetruar dhe tepër e konsumuar gjë që e bënë të vështirë turizmin në këtë zonë mbresëlënëse. Futja e Oroshit në prioritetet qeveritare të zhvillimit, do ta kthejë këtë zonë në një burim të rëndësishëm përfitimi ekonomik për banorët e atjeshëm.

Në Orosh të Mirditës, historia dhe e bukura janë bashkë dhe presin që të eksplorohen dhe të shijohen.