KURIOZITETE

KURIOZITETE

Banania 108,000 euro e artistit Maurizio Cattelan gëlltitet nga një artist

Publikuar më 09 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Një vepër arti e një bananeje të pjekur të ngjitur me shirit ngjitës në një mur që u shit për mbi 108 mijë euro, është ngrënë nga një artist tjetër performues.

Vepra artistike, e titulluar "Comedian", e punuar nga artisti italian Maurizio Cattelan, ishte e shfaqur në galerinë ndërkombëtare Perrotin në Art Basel në Miami, raporton BBC.

Tre blerës blenë copat e edicionit të limituar të bananes artistike këtë javë.

Por artisti performues, David Datuna, e hoqi nga muri atë, e qëroi dhe e gllabëroi atë të shtunën.

"Performancë arti nga unë. I dua veprat e artit të Maurizio Cattelanit dhe e dua vërtet këtë instalacion. Është shumë i shijshëm", shkroi Datuna në profilin e tij në Instagram, transmeton Koha.net.

Përkundër zemërimit fillestar të stafit, banania u zëvendësua shpejt me një tjetër dhe nuk do të ndërmerret ndonjë veprim tjetër.

Arti raportohet se vjen me një certifikatë autenticiteti, që do të thotë se pronarët mund të zëvendësojnë bananen.

"[Datuna] nuk e ka shkatërruar veprën e artit. Banania është ideja", ka thënë për "Miami Herald" Lucien Terras, drejtor i galerisë.

Më pas u vendos policia për të ruajtur bananen e zëvendësuar.

Art Basel është një prej ekspozitave më të famshme të artit bashkëkohor.