Kosovë

Kosovë

Java e gruas në Kosovë

Publikuar më 20 Mars 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Prej sot në Kosovë nis java e gruas. Dy deputetet Blerta Deliu Kodra e Shukrije Bytyçi si dhe Pranvera Lipovica nga Instituti Kombëtar Demokratik, kanë shpalosur programin e javës së gruas, në programin e mëngjesit në RTK.

Një javë e mbushur me aktivitete që iu ndihmon grave në politikë, biznes e media. Kështu cilësohet kjo javë, e cila mbledh në një vend gratë nga të gjitha fushat, ku kanë mundësi të diskutojnë dhe të shkëmbejnë përvojat e njëra-tjetrës.

Kjo është hera e pestë që mbahet java e gruas në Kosovë. "Është një prej javëve më të rëndësishme të gruas në Kosovë për faktin se ka një komponentë që i bashkon gratë nga politika, biznesi, media, bota akademike, dhe nga shoqëria civile, të cilat kanë pasur mundësi që ta fuqizojnë rrjetin ndërmjet njëra-tjetrës", thotë deputetja Deliu-Kodra. Ajo thotë se gjatë kësaj jave do të ketë tema që ndërlidhen me mirëqenien sociale dhe zhvillimet politike. "Gjithsesi do të flitet edhe për tri tema që janë preokupimi më i madh i qytetarëve, siç janë punësimi, shëdetësia dhe arsimi', thotë ajo.

Ajo tregoi se për çdo vit rritet interesimi i pjesëmarrësve."Ka shumë vajza që rregulisht pyesin se kur nis organizimi dhe se si mund të bëhen pjesë e kësaj jave. Përzgjedhja e tyre është bërë nga NDI-ja. Ajo çka mendoj se është e rëndësishme është fakti se ky është një target i identifikimit qytetar që t'i çasen jetës politike, sidomos sivjet duke pasur parasysh faktin se në vjeshtë janë zgjedhjet lokale".

Deputetja Deliu-Kodra, duke folur në RTK, po ashtu bëri me dije se NDI-ja vazhdimisht i ka trajnuar gratë deputete në mëyrën se si t'i çasen publikut. "Sivjet një prej paneleve, ku edhe unë do të jem pjesëmarrëse, janë edhe rrjetet sociale. Prandaj unë do të mundohen që të ofroj nga përvoja ime, se si unë iu çasem qytetarëve përmes rrjeteve sociale", tha Deliu-Kodra.

Mysafirët në programin e mëngjesit tregojnë se ky rrjet i vajzave të reja të NDI-së, ka prodhuar nisma konkrete që kanë pasur ndikim në jetën shoqërore dhe politike.

Deputetja tjetër, Shukrije Bytyçi thotë se kjo javë është një mundësi e mirë për të qenë afër grave si të biznesit, ashtu edhe të politikës, prandaj ajo e konsideron një javë shumë të rëndësishme. "Java e gruas është mundësi e gjitha subjeketeve politike, pra të gjjitha partitë kanë përfaqësuesit e vet", thotë ajo.

E Pranvera Lipovica, nga Instituti Kombëtar Demokratik thotë se përmes pjesëmarrjes së tyre në javën politike, gratë do të mund të marrin përvoja të ndryshme. "Është një proces i gjerë që nis më herët se në muajin mars. Prioritetet e qytetarëve që NDI-ja bën në terren janë punësimi, shëndetësia, dhe arsimi", thotë ajo.

Ajo tutje thotë se java e gruas ofron edhe një mundësi të mirë sepse siç thotë ajo, zyra e Presidetit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit i kushtojnë rëndësi të madhe javës së gruas dhe përfaqësuesi i tyre gjithmonë është afër pjesëmarrësve përgjatë javës së gruas.