Kosovë

Kosovë

Në Ditën e turqve, kryeministri Mustafa krenar për historinë e tyre

Publikuar më 21 Prill 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në Kosovë është shënuar "Dita e komunitetit turk", në të cilën është vlerësuar lart kontributi i popullit turk në Kosovë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Në konferencën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Isa Mustafa tha të premten, se këtë ditë e konsideron ditë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pasi sipas tij, ne ndajmë të kaluarën e përbashkët, të tanishmen e përbashkët dhe fatin e përbashkët për të ardhmen.

"Historia e komunitetit turk është histori me shumë tradita të mira, është histori me të cilën të gjithë krenohemi, po ashtu është një histori e begatshme. Kjo është vlerë e jona e përbashkët, është pasuri e vendit tonë dhe këtë pasuri jemi të përkushtuar ta ruajmë dhe ta shtojmë edhe më tutje, të vazhdojmë që mbi këto pasuri tona të përbashkëta ta ndërtojmë Kosovën demokratike, të fortë të integruar në BE, NATO dhe në bashkëpunim të përhershëm me SHBA-të", tha Mustafa.

Kreu i ekzekutivit shtoi se duke shënuar Ditën e komunitetit turk, po respektojmë një histori të pasur, por edhe një të kaluar të vështirë, ku sfidat dhe problemet gjithmonë janë ndarë dhe tejkaluar bashkërisht nga shqiptarët, turqit dhe komunitetet tjera.

Ministri i Administratës Publike, njëherësh kryetar i partisë turke KDTP-së, Mahir Yagcilar theksoi se ndihet krenar dhe i lumtur që po shënojnë Ditën e komunitetit turk, meqë sipas tij, kjo ditë është pjesë e pavarësisë së Kosovës dhe pjesë e historisë me të re të vendit.

"Me aktivitetet e ndryshme synojmë të përforcojmë bashkimin brenda komunitetit, të ruajmë identitetin dhe të aktivizojmë pjesëtarët e komunitetit në çdo fushë të jetës shoqërore dhe ekonomike. Sikurse në këto tetë vite, edhe në vitin e nëntë të pavarësisë jemi duke mbajtur debate rreth zhvillimeve aktuale, aktivitete kulturore artistike, sportive e shoqërore, jemi duke vazhduar me traditën e publikimin e librave, sepse vetëm me punë kreative mund ta ruajmë identitetin e komunitetit dhe mund të krijojmë një integritet me të madh në shoqërinë kosovare. Komuniteti turk dhe ne përfaqësuesit politik në këto vite pas luftës kemi kontribuar në shtet-formimin e Kosovës", theksoi Yagcilar.

Por, përfaqësuesit e popullit turk në Kuvendin e Kosovës paraqitën edhe sfida dhe probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët që ata përfaqësojnë. Deputetja e komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës Mufera Shinik ka paraqitur disa nga problemet në të cilat hasin, si në aspektin e punësimit, arsimimit, zhvillimit të aktiviteteve kulturore në mungesë të kushteve e tjera.

Sipas saj, edhe pse në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjin për komunitete janë të garantuara të drejtat e tyre, zbatimi në praktikë po hasë në probleme.

"Nëse flas për të drejtave të komuniteteve në Kosovë, atëherë këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjin dhe dëshiroj që kjo të zbatohet, sepse në zbatim kemi probleme me të cilat ballafaqohemi. Si të gjitha komunitetet tjera, edhe për neve është me rëndësi arsimimi, të gjitha ato probleme, që do t'i shpreh disa. Sot është një ditë që duhet të kremtojmë, por patjetër se këtë duhet ta them, komuniteti që është shumicë nxënësit e tyre kanë libra ndihmëse, fletore të punës, të gjitha ato që kanë nevojë, por nxënësit e komunitetit turk vetëm libra të shkollës dhe në to ka shumë probleme", tha Shinik.

Artisti Et'hem Baymak nga Shoqata e shkrimtarëve, ngriti problemin e përkrahjes së aktiviteteve kulturore që organizon komuniteti turk në Kosovë, sepse nuk janë duke përfituar asgjë nga Ministria e Kulturës.

Ai tha se komuniteti turk po bën përpjekje që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe një gjë e tillë ka ndodhur disa herë, ku njerëzit e kulturës nga ky komunitet kanë përfaqësuar Kosovën dhe flamurin e saj.

"Komuniteti turk dhe njeriu i kulturës turke nuk mund ta gjejë vetën këtu, kështu që nga Ministria e Kulturës dhe ministritë tjera ne nuk mund të përfitojmë ndihma që ofrohen. Pra, në fushën e kulturës a kemi mangësi dhe nevoja, po kemi patjetër do të thotë me vite është një problem që ne e shprehim", theksoi Baymak.

Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Çaush Balaj, tha se populli turk në Kosovë është pjesë e bashkësisë së vendit tonë duke luajtur një rol të rëndësishëm të shoqërore, politik e kulturor. Gjithashtu, sipas tij, komuniteti turk ka dhënë kontribut të madh në të gjitha fazat e tranzicionit.

Pas shpalljes së Pavarësisë, 23 prilli është caktuar si Dita e Komunitetit Turk dhe në Ligjin për festat zyrtare është si ditë e shënuar.